E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Gazetaexpress.com – “Dhuro një stol” dhe ngjall një kujtim!

Gazetaexpress.com – “Dhuro një stol” dhe ngjall një kujtim!

Nëse ke dëshirë të kujtosh një të afërm që nuk jeton më apo të shenjosh një përvjetor të bukur, mund t’i bashkohesh nismës më të re të Bashkisë së Tiranës: “Dhuro një Stol”.

Në Parkun e Madh të Liqenit janë vendosur tre stolat e parë, nga qytetarë të cilët janë bërë pjesë e nismës, aktivitet në të cilin mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me këtë rast, kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme për të përkujtuar të afërmit e tyre, por njëkohësisht edhe duke kontribuar për qytetin.

“Kjo është një nismë e re, ku shumë familjarë me dëshirën për të kujtuar të afërmit e tyre, kanë dhuruar një stol në ‘Shtegun e qershive’. Tani që kanë çelur edhe qershitë, është bërë një ambient shumë i bukur. Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë gjetur këtë mënyrë për të mbajtur dashurinë ndezur në qytetin tonë, të jemi shumë më solidarë dhe të kemi kujtimet më të mira nga ata që na kanë lënë, por që kanë bërë gjëra të bukura, të cilat meritojnë t’i kujtojmë me shumë dashuri në këtë qytet”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se kjo nismë do të vijojë dhe do të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit të Tiranës.

“Mezi presim që të zbukurojmë edhe vende të tjera të qytetit, qoftë me mbjellje pemësh, qoftë me stola e dekorime, të cilat na bëjnë të kuptojmë se në Tiranë jemi një familje e madhe dhe pavarësisht se këtu jetojnë 1 milionë vetë, sillemi si një familje dhe respektojmë të dashurit tanë dhe ata që kanë kontribuar për këtë qytet”, tha ai.

Gjithashtu, Veliaj falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për ta bërë Parkun e Madh të Liqenit shumë më të këndshëm. “Dua të falenderoj të gjithë ata që kanë dhuruar pemë, stola, që kanë dhuruar punë vullnetare dhe që kanë kontribuar që ky të jetë një mjedis shumë më dinjitoz për qytetin tonë. Shumë faleminderit të gjithëve, shumë faleminderit ‘AGNA Group’, sepse ky ka qenë një vend komplet i djerrë, i degraduar, dhe është transformuar në kohë rekord. Edhe fëmijët e vegjël kanë mësuar si mbillen pemët dhe besojmë se më shumë do e kalojmë jetën duke mbjellë pemë, se duke mbjellë sherre”, deklaroi Veliaj.

Në kuadër të nismës “Dhuro një Stol”, Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit nxit qytetarët të kontribuojnë edhe për Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës.

Në dispozicion të të interesuarve do të jetë modeli i stolit dhe vendndodhja e detajuar në hartë, ndërsa gjatë procesit dhuruesi do të ndihmohet nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.