E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Klan Tv – Bashkia, 1 mijë pemë të mbjella në muaj

Klan Tv – Bashkia, 1 mijë pemë të mbjella në muaj

Bashkia e Tiranës vijoi sot analizat e punës së ndërmarrjeve të saj me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Në takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi rolin mjaft të rëndësishëm që ka luajtur Agjencia e Parqeve dhe të Rekreacionit jo vetëm në shtimin e hapësirave të gjelbra, por edhe në gjallërimin e jetës nëpër parqet e Tiranës. Ai ka theksuar se krijimi i APR-së, gati një vit më parë, ishte një vendim i drejtë dhe se ajo ka justifikuar plotësisht ekzistencën e saj, duke u bërë një nga ndërmarrjet më të rëndësishme dhe më kreative të Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se vetëm në pak muaj jetë, APR ka mbjellë 8 mijë pemë dhe 32 mijë bimësi në të gjitha parqet dhe rrugët e Tiranës, ndërsa vlerësoi rolin mjaft të rëndësishëm që merr APR edhe në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030.

“Mezi pres që traditën e mbjelljes së pemëve ta kalojmë në një operacion gjigant të pyllëzimit të Tiranës dhe të oksigjenimit të qytetit. Ndaj, unë besoj se mënyra se si kemi filluar të identifikojmë perimetrin rreth e rrotull Unazës së Madhe të Tiranës për mbjelljet, është mënyra e duhur për të ecur përpara. Tashmë kemi një pjesë të parcelave që preken nga parqet dhe një pjesë tjetër që është në zonën e Tiranës urbane ku ne do të fillojmë të gjithë investimin e pyllit orbital”, u shpreh kryetari Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se vetëm falë një përkushtimi më të madh, por edhe investimeve të shtuara në Parkun e Liqenit, është bërë i mundur një interes i shtuar i qytetarëve të të gjitha moshave për të vizituar dhe kaluar kohën e lirë në të.

“Nuk e keni idenë se çfarë impakti ka në publik vetëm statistika që ky park vizitohet nga 275 mijë njerëz rregullisht, disa përditë, disa një herë në javë, por rregullisht 1/3, ¼ e Tiranës është këtu çdo javë; ky është komplimenti më i madh për ne”, tha kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se Parku i Liqenit të Tiranës është vetëm një nga hapësirat që menaxhon dhe kujdeset çdo ditë APR.

“Është shumë e rëndësishme që zgjeruam konceptin e parqeve; për shumë njerëz koncepti ishte fiks, Parku i Liqenit. Ky në thelb është vetëm një prej parqeve që menaxhon APR-ja. Mbaj mend shumë prej aktiviteteve që kemi filluar të bëjmë në parkun e Kasharit, ku mbollëm 500 pemët e para. Aty ka filluar një projekt fantastik, i cili shumë shpejt do të ketë një park të ngjashëm me këtë ku jemi sot”, tha kryetari i bashkisë, duke shtuar se e njëjta punë po kryhet në parkun e Vaqarit, atë të Pezës, si dhe në liqenin e Farkës.

Veliaj u ndal edhe te puna e kryer në ndërtimin e këndeve të lojërave, e cila jo pak herë është politizuar në mënyrë të padrejtë.

“Ky park, në fakt, sa ç’është dëshmitar i punës, është dëshmitar i disa betejave histerike që sot të bëjnë për të qeshur; por kur kujton ato ditë, në fakt nuk ishte fare për të qeshur. Do hyjë në histori se si mund të bësh politikë me çfarëdo lloj gjëje. U bënë mesatarisht 78 protesta në 100 ditë, kundër këndit të lodrave. Ja ku jemi sot, s’ka as pallate, as kafe, as çudira të kësaj natyre; jo vetëm që nuk u prenë pemët, pro u shtuan, jo vetëm që nuk u këputën lulet, por u shtuan. Sot ndoshta është hapësira më popullore në qytetin e Tiranës”, shtoi Veliaj.

Jo vetëm kaq, por kryebashkiaku theksoi se puna e APR-së do të prekë tashmë edhe zonën rurale për të krijuar edhe aty mundësi të ndryshme për të kaluar kohën e lirë.

Më në fund po i japim edhe një sinjalizim që kjo filozofi e parqeve të Tiranës dhe rekreacionit do të shkojë edhe në ish-komunat, kryesisht në vende që askush nuk kishte menduar për fëmijët, por vetëm për betonin, edhe për pallatet”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit luan një rol të rëndësishëm jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës së kryeqytetit, por edhe për gjallërimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive.

“Kjo nuk është vetëm një ndërmarrje që merret me infrastrukturë, por merret edhe me kulturë. Rekreacioni ose argëtimi, zbavitja, janë një pjesë e jetës së njerëzve, njerëzit kanë nevojë të vrapojnë, të luajnë, skuadrat kanë nevojë të ushtrohen, pensionistët të luajnë domino. Kur vjen në park, je pa makinë, je në këmbë dhe je i barabartë si gjithë të tjerët. Kjo, ndoshta është hapësira më demokratike. Si realizohet? Falë faktit që ne në 254 ditë kemi pasur një aktivitet”, tha ai.

Veliaj deklaroi se është i nevojshëm një bashkëpunim dhe një koordinim midis APR-së dhe agjencive të tjera. Kryebashkaiku Veliaj tha se po vijon puna me intensitet edhe për përmirësimin e transportit publik në Tiranë, ku situata e trashëguar ishte në kushte që linin shumë për të dëshiruar.

“Do të vazhdojmë gjithë vitin për kthimin në binarë të rregullit të transportit publik në Tiranë. Në kushtet kur trashëguam një Bashki që kishte privatizuar të gjitha linjat, na mbetet vetëm të ndërtojmë mekanizma kontrolli dhe modernizimi për transportin publik. Lajmi i mirë është se për herë të parë në historinë pas viteve ’90 kemi më shumë njerëz që ecin, që përdorin biçikletën, apo transportin publik, se ata që përdorin makinën. Po çështja është se ky është një trend që duhet mbajtur”, tha ai, duke shtuar se rritja e përdorimit të transportit publik ka sjellë dhe ulje të ndotjes.

Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj u bëri thirrje protestuesve të opozitës që të tregohen të kujdesshëm për të mos e ndotur apo dëmtuar qytetin nesër.

“Si kryetar i Bashkisë kam respektuar kërkesën për t’i dhënë leje PD për të përdorur për protestë hapësirën publike te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, një kërkesë nuk ndryshon kurrë për cilëndo parti: Mos na e bëni pis Tiranën!”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se qyteti i Tiranës është i të gjithë qytetarëve dhe ai duhet mbajtur pastër. Veliaj u kërkoi protestuesve që në fund të tubimit ta pastrojnë Bulevardin.

“Tirana na dhimbset të gjithëve, ndaj edhe porosia ime është që të protestojmë si qytetarë dhe ju lutem mos e bëni pis Tiranën! Nëse e bëni pis, sigurohuni që e pastroni, se do të thotë që shumë prej punonjësve tanë që do të duhet të ishin pushim ditën e shtunë, ose do të duhej të merreshin me aktivitete në park, t’i heqim nga shtëpitë e tyre për të pastruar atë që mbetet pas protestave. Pavarësisht se edhe partia në fjalë paguan gjoba për këtë punë, besoj që duhet të protestojmë si qytetarë, të mos këpusim asnjë lule, të mos shqyejmë asnjë gur, të mos urinojmë rrugëve”, u shpreh ai.