Parku i Fjolles

Kjo zonë, një nga më të bukurat e kurorës së gjelbërt të Tiranës, ofron përpos hapësirave të nevojshme për turizëm edhe material të bollshëm për njohjen e karakteristikave biologjike dhe shkrirjen e biodiversitetit ekologjik. Zona Fjollë – Dorzi, me një sipërfaqe 207.6 ha, përbëhet prej disa ekosistemesh të larmishme si pylli, toka, baseni dhe vlerësohet e pasur për habitatet natyrore.

Parku perspektiv i Pezës propozojmë të jetë shembull i menaxhimit i një zone turistike ku vizitori të mos jetë turist pasiv, por pjesëmarrës aktiv në aktivitete të ndryshme sportivo-kulturore si pedalimi, kanotazhi, mbjellja e pemëve, kamping, ekspozita pikture dhe programe trajnimi që kanë në fokus ndërgjegjësimin qytetar për natyrën dhe mjedisin. Krijimi i parkut do të nxjerrë në pah jo vetëm vlerat ekologjike të këtij territori, por edhe shembullin e mirë të ruajtjes së ekosistemeve dhe bashkëjetesës njeri-natyrë. Baseni me një sipërfaqe prej 14 ha ka si karakteristikë unikale ujëra të thella, të kaltra, të pastra duke qenë njëkohësisht habitati i disa llojeve autoktonë peshqish apo gjallesash të tjera ujore. Dhënia e statusit të Parkut Rekreativ krijon mundësinë për zhvillimin e sporteve të ndryshme ujore duke përmendur këtu kanotazhin, peshkimin sportivsi dhe garat e notit.

Me një sipërfaqe të konsiderueshme prej 194 ha, nga të cilat rreth 134 ha janë sipërfaqe pyjore e pastër dhe e gjelbër ku kombinohen pyjet e shkozës, shqopës, maresë dhe gjineshtrës me pishën mesdhetare, ai ofron ambiente dhe hapësira çlodhëse për frekuentuesit. Një nga përparësitë e kthimit të kësaj zone në një Park Rekreativ është jo vetëm peisazhi mahnitës që të ofron liqeni i Fjollës dhe mundësia e pushimit aktiv, por edhe afërsia me Kalanë e Dorëzit që daton në shekullin e III – IV Para Krishtit, e pozicionuar 800 metër më lart digës së liqenit Fjollë, si dhe Parku Memorial i Dëshmorëve të Pezës.

Kështu zona Fjollë – Dorzi merr vëmendjen e merituar si destinacion turistik, historik dhe i trashëgimisë kulturore. Komuna Pezë përshkohet nga rruga automobilistike nacionale Tiranë-Durrës dhe ndodhet në një distancë prej 25 km larg nga qyteti i Tiranës. Liqeni i Fjolljës nga rruga nacionale është 4 km larg dhe nga diga deri në fund të liqenit distanca është rreth 1 km.

PROJEKTI PARKUT TE FJOLLES