Komunikime Publike

Dita e Pyllrojtësit – mbjellje e 2000 fidanëve në Hekal

kolazh komunikate hekal

Këtë fundjavë aksioni i mbjellve u zhvendos në Hekal, një nga ekonomitë pyjore më të dëmtuara nga zjarret e vitit të kaluar. 2000 fidanë pishe, dhuratë e GreenFarm, u mbollën për t’i rikthyer shpresën dhe gjelbërimin kësaj zone pikërisht në këtë ditë të shënuar për mjedisin dhe mirëmbajtjen e pyjeve. Mënyra më e mirë për të kremtuar 95 vjetorin e krijimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar dhe ditën e pyllrojtësit.

Falenderojmë vullnetarët e aktivistët e Green Line AlbaniaEcovolisBike Club TiranaFakulteti i Veprimtarise Fizike dhe RekreacionitUniversiteti Bujqesor i Tiranes – Fakulteti i pyjeveStudenti TaekwondoKryqi Kuq ShqiptarQendra Stefan / The Stephen Center Restaurant dhe stafeve të Nj. Adm. Petrelë, Bërzhitë, Krrabë, të rinj e të reja që na u bashkuan në mbjelljen e fidanëve! Një falenderim i veçantë dhe për artistin e mirënjohur, Olen Cesari!

        Tiranë, 27 Janar 2018

Mbill një pemë për Shën Valentin

26907185_10156129116741926_4324098339778957970_n

Këtë Shën Valentin bëni një dhuratë ndryshe për të dashurin tuaj! Tregoni dashurinë me një dhuratë afatgjatë që do të vazhdojë të rritet.

Celebroni dashurinë tuaj me mbjelljen e një peme. Le të jetë kjo pemë simbol i dashurisë, që lind si një filiz dhe rritet bashkë me të, ndërsa ne do t`ju mundësojmë një vend në rrethinat e Tiranës.

Bashkia Tiranë ju fton të mbillni pemën tuaj, duke i dhuruar kështu qytetit, shtëpisë sonë të përbashkët më shumë oksigjen, cilësi jete dhe dashuri.

Miqësia dhe dashuria janë degë të së njëjtës pemë, ato shkrihen me njëra-tjetrën dhe i falin trungut jetëgjatësinë e dëshiruar!

Më shumë: http://aprtirana.al/une-dhuroj/dhuro-nje-peme/

Fushata “Dhuro pemë për Tiranën”

fushata dhuro peme

Bashkia Tiranë fton individë e subjekte të bëhen pjesë e revolucionit të gjelbër duke Dhuruar Pemë për Tiranën! Kryeqyteti nuk i thyen dot rekordet pa solidaritetin e qytetarëve, biznesve, subjekteve, organizatave e kujtdo tjetër që e do atë. “Një Pemë Çdo Qytetar” apo “Dy Pemë Çdo Një Makinë” si investim për t’a bërë më të bukur e më të jetueshëm Kryeqytetin. Parqet, Pylli Orbital dhe Kurora e Gjelbër janë paja më e mirë që mund t’i lemë brezave që vijnë, akti më domethënës i dashurisë për jetën dhe natyrën. Fushata kurorëzohet në 21 Mars në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve. Çdo ditë është një mundësi e artë për të vizatuar peisazhin e Tiranës me ngjyra, ajër të pastër e blerim.

Apliko dhe Ti dhurimin në linkun: http://aprtirana.al/une-dhuroj/dhuro-nje-peme/

Qyteti të është mirënjohës!

Së bashku për Dajti N’Fest 2017!

sponsorat dajti nfest

Dajti N’Fest nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunëtorët tanë! Falenderojmë AKZM dhe EDS Foundation për bashkëpunimin e shkëlqyer.

Falenderojmë “Natyra 2000” projekt i BE, UNDP Albania, REC, ESPRIT për mbështetjen, Dajti Expres që me bujari ndihmon çdo aktivitet në Malin e Dajtit, Bashkia Mirditë që nxorri nga sepeti i gjysheve Doket dhe Zakonet, Ritet dhe Ritmet, si dhe Agjensinë NBS.

Të pandarë ne çdo aktivitet outdoor Bike Club Tirana, Albanian Motocycling Federation, Federata Shqiptare e Çiklizmit, Rally Albania, Federata Shqiptare e Aeronautikës, Pilot.Al, SteelWings Albania, Gear Bike Albania dhe Travel to Discover Tirana – Faleminderit – si dhe mbështetësit me çmime e dhurata për tre garat e festës.

Për këndin e shijimit e gatimit falenderojmë RTSH (Restorantet Turistike Shqipëtare).
Falenderojmë Qendrën Vullnetare për Emergjencat Civile që na ndjekin e mbrojnë hap pas hapi.
Faleminderit SCAN TV për mbulimin mediatik dhe Redbull, energjik e të papërtuar ngaherë.
Dhe këdo që si Crossfit Stamina me përkushtim e pjesëmarrje dha një dorë në ngritjen e këtij mega eventi – më i bukuri log malor organizuar ndonjëherë në Dajt!

Shihemi sërish në aktivitete të tjera!

#DajtiNFest #TiranaImeOutdoor #EDS #UNDPAlbania #REC #AKZM#DAJTIEkspres

Komunikatë për Peza N’Fest 2016 nga APR – Bashkia Tiranë

komunikata-foto

Komunikatë për Peza N’Fest 2016 nga APR – Bashkia Tiranë:

Sivjet Bashkia Tiranë dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizuan aktivitete të shumta me rastin e Peza N’Fest duke nxitur jetesën aktive, aktivitetet rekreative, sportet e promovimin e destinacioneve natyrore panoramike si Parku i Pezës e Liqeni i Fjollës, hipizmin, notin, kanoet, lojrat e garat e ndryshme. Risi tjetër ishte rikthimi historik i Orkestrës Sinfonike dhe Korit të TKOB me një performancë pjesësh të zgjedhura “Për Ty Atdhe” pas 50 vitesh në Pezë.

Maratona e eventeve kulturore e artistike përfshiu yjet e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Ansamblin Folklorik Tirana, Tirana RinFest nga Qendra Rinore TEN me talentet e reja, Bandën e Ushtrisë, Bandën e Tiranës, për t’u kulmuar me SHOW në mbrëmje deri në orët e para të mëngjesit me muzikë nga Shqipëria e Kosova me Altin Goci, Asgjë sikur Dielli, Rezarta Smaja, DJ Tatu, DJ Flekitza e Vegim etj.

Nata e Gjelbër me Vullnetarët e Ambientalistët, MotoShow, Tregu Artizanal e Ushqimor i zonës, Ecovolis e Pedalon me biçikletat, Parku i Lodrave e shërbimet në Park e bënë Pezën sivjet një zonë familjare, sportive, aventurash, shijimi kuzhine të zonës e zbulimi bukurish natyrore, argëtimi e pushimi aktiv si edhe formimi e edukimi për të vegjlit e të rinjtë përveçse përvjetor nderimi e respekti për heronjtë e Atdheut!

APR njohu pjesmarrësit me planet e projektet për Parkun e Pezës e Fjollës dhe avantazhet e Kurorës së Gjelbër të Tiranës në kthimin e vëmendjes tek jetesa e shëndetshme e aktive. Tirana Ime Outdoor, projekti më i ri i APR – Bashkia Tiranë për aktivitetet në natyrë ishte lajtmotivi i aktiviteteve të sivjetshme të Peza N’Fest – Festa e Bashkimit pa Dallim por edhe një mundësi e shkëlqyer për t’a orientuar publikun drejt atraksioneve natyrore e turistike dhe aktiviteteve në kohën e lirë në parqet e zonat rekreative jashtë qytetit të Tiranës.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e themeluar enkas për misionin e një jetese sa më aktive e për zgjerimin e ofertës rekreative për kryeqytetasit falenderon gjithë mbështetësit e partnerët – me kënaqësi konstatuam që nuk patëm asnjë ngjarje negative gjatë festimeve e aktiviteteve, asnjë problem me qarkullimin, asnjë dëmtim (shiu pengoi aktivitetet përmbyllëse, por ne bëmë gjithçka mundëm, albumet e postuara ilustrojnë se edhe me kaq ja kaluam shkëlqyeshëm) – Sukses ishte dhe realizimi i gjithë aktiviteteve vetëm me fonde sponsorizimi e partnerë, pa prekur arkën e qytetit. Mirutakofshim në Peza N’Fest 2017!

Njoftim mbi Shatrivanin lundrues në Liqenin e Parkut të Madh

shatervani

Shatrivani lundrues në Liqenin e Parkut të Madh të Tiranës është programuar për ndezje automatike në ora 06:00 dhe fikje automatike në ora 24 për sezonin veror deri në 1 Tetor 2016! Subjektet që mund të jenë duke lundruar në Liqen duhet të tregojnë kujdes sepse në momentin e ndezjes presioni i ujit nga pompimi i Shatrivanit lundrues (i ankoruar në pozicionin në hartën bashkëlidhur) është tejet i lartë! Poashtu, subjektet që mund të lundrojnë pas orës 24 duhet të tregojnë kujdes e të mos përplasen me bazamentin e Shatrivanit në Liqen (foto e strukturës së bazamentit bashkëlidhur)! Lundrimi i çdo lloj forme, frekuentimi i Liqenit është i lejuar vetëm me autorizimin e APR – Bashkia Tiranë! Në Liqen ndalohet notimi dhe peshkimi! Ky njoftim është informues! APR – Bashkia Tiranë nuk mban asnjë përgjegjësi për subjektet që futen e lundrojnë në Liqen pa autorizimin tonë dhe për çdo pasojë që u shkaktohet! Nga ana tjetër për çdo dëm në bazamentin apo paisjen e Shatrivanit Lundrues në Liqen do ketë detyrim për dëmshpërblim të plotë!

Nga krijimi i APR deri më sot – Takimi i datës 15 qershor 2016

_MG_0237Ndryshe nga drejtoritë e tjera të Bashkisë Tiranë, APR ka vetëm 7 muaj aktivitet nga themelimi, përmbledhur në muajt Nëntor 2015 deri sot, mbështetur në eksperiencat më të mira të kryeqyteteve që duam t’u ngjajmë si edhe në respekt të angazhimit elektoral për një kthesë historike në marrdhënien e qytetit me Parqet, Kurorën e Gjelbër, Pyjet, Jetesën e Gjelbër, Bimësinë Dekorative dhe Aktivitetet në Natyrë. Në vetëm 7 muaj, falë kthimit të këtij sektori në një prioritet, ja dolëm të kemi një Agjenci Parqesh dhe Rekreacioni me një profil aktiv, imazh e impakt publik të shkëlqyer dhe të fitojmë shumë kohë të humbur nga asgjëbërësit. Kthyem në fjalorin e ditës termat: Park, Luaj Kudo, Tirana pa Makina, Art Publik, Pedalon, Vizatim Peisazhi dhe Rekreacionin si një nga komponentët më të rëndësishëm të jetës për qytetarët e Tiranës.

_MG_0267Gjendja e arkës së Bashkisë Tiranë, ashtu siç e gjetëm, do të dekurajonte edhe më optimistët, situata mjerane e logjistikës që trashëguam do t’i priste gjunjët edhe më të çmendurve për punë, sirtaret e projekteve bosh dhe gjendja e degraduar rëndë e aseteve në terren do justifikonin mosarritje për vite e vite me rradhë. Por ne nuk erdhëm për të mbushur borderotë, as për stafeta militantësh, nuk erdhëm as për të bërë sikur e as për të kaluar kohën rehat. Erdhëm për të kthyer Tiranën në Drejtimin e Duhur!

Në vetëm 7 muaj, me moton 7 ditë të javës në punë, paradite e pasdite, APR mishëroi qëllimin e krijimit, jetëzoi vizionin e Bashkisë Tiranë dhe ndonëse në kushte të pafavorshme logjistike e buxhetore arriti të përballojë emergjencat, të rikthejë normalitetin në tërë sektorët sa i përket mirëmbajtjes dhe, më e rëndësishmja, APR u bë katalizator projekt-idesh (vetëm në Konferencën SmartCity prezantuam 42 Fisha) e aktivitetesh. Për herë të parë raporti i njeriut me natyrën dhe jetesën aktive administrohet i ndërthurur me punën për peisazhin jeshil, kujdesin për parqet, projektimin e shesheve rekreative, kujdesin për pyjet e bimësinë, ekosistemet, biodiversitetin dhe infrastrukturën rekreative të territorit të Bashkisë Tiranë, tashmë 25 herë më i madh prej reformës territoriale e administrative. Ndërveprimi, pjesëmarrja, frekuentimi nga publiku bëhen objektiva kryesore të punës së APR, duke dhënë përmasë misioni edukativ dhe rol direkt për cilësinë e jetës së kryqytetasve, përkundër modelit arkaik të ndërmarrjeve komunale “rregullo ç’u prish, avash avash”.

_MG_0292Me formësimin e APR Bashkia Tiranë i dha sy, zë e mendje sektorit të Parqeve e Aktiviteteve në Natyrë. Struktura e re e APR operon sot me një Atelier dizajni, peisazhi e inovacioni si edhe me një Inspektoriat “Tirana Park Rangers” për monitorim e kontroll më të specializuar në njësitë rekreative. Drejtoria e re e Planifikimit dhe Zhvillimit të qendrueshëm në vetëm 7 muaj është bërë pjesë e procesit të PPV të ri dhe e dhjetra projekteve ndërsektoriale ndërsa Drejtoria e re e Rekreacionit (Tirana Ime Outdoor) në vetëm 7 muaj ka realizuar 40 aktivitete rekreative në natyrë të cilat kanë kapur një pjesmarrje prej 190 mijë  frekuentuesish, me cilësi por edhe me një bilanc tepër pozitiv kosto/për frekuentues.

Impakti social dhe ekonomik për komunitetin e territorin është një tjetër pikësynim i yni këmbëngulës. Gjatë javës përmirësojmë parqet, në fundjavë ndezim aktivitetet, Atelier projekton, REja tërë hijeshi, Parku i ri i Lojrave gëlon nga frekuentimi – Parqe të Bukura, Njerëz të Shëndetshëm, të Lumtur!

_MG_0300Një tjetër tregues domethënës i punës së APR këto 7 muaj është gjenerimi, mobilizimi, aktivizimi i finacimeve të të tretëve; donatorë, filantropë, mbështetës, bamirës, sponsor për projekte, ide, nisma, punë e të mira publike. Për periudhën Nëntor 2015 – Qershor 2016 vlera e kontributit nga të tretët, me mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë Tiranë është plot sa trefishi i shumës që APR kishte në dispozicion nga buxheti! Serioziteti, pasioni e profesionalizmi na janë shpërblyer në formë direkte në besim, solidaritet e mbështetje, përkthyer kjo në të mira direkte për komunitetin.

Kjo kërkon përkushtim e mendje të hapur, dëshirë konstante për të përkrahur e kurrë për të penguar, kujtesë se nuk kemi ardhur për të qenë në rregull duke mos bërë asgjë. Në vetëm 7 muaj shtuam kapacitetet, rritëm impaktin për cilësinë e jetesës në Kryeqytet  dhe kjo ndërsa strukturohemi e ndërtohemi si organizatë, me 0 trashëgimi e teksa muaj pas muaji shtohen përgjegjësitë e delegimet. Kjo na bën koshient se në rregjim normal pune i detyrohemi publikut edhe më shumë rezultate!

_MG_0287Në terren kemi realizuar vërtetë shumë në 7 muaj – 6700 mbjellje bimësie dekorative të reja, 1.3 milionë m2 kositur e pastruar, 3500 ton evadime, 20 mijë m2 lirim hapësirash publike, 30 mijë m2 rigjelbërim, rikualifikime e rehabilitime, të gjitha flasin për rezultate rekord që do duhet shumë punë t’i tejkalojmë vitin e dytë. Parku i Madh i Liqenit është bërë zona më e frekuentuar e Tiranës.

Në 7 muaj kemi trefishuar vizitorët në Kopështin Zoologjik duke përmirësuar pritjen dhe argëtimin për gjithë moshat, duke krijuar zona me kafshë të buta në kontakt me fëmijët, aktivitete dhe duke rritur kushtet e sigurisë në kompleks. I dhamë prioritet përmirësimit të parkut të gjelbër të këtij aseti deri në përfundimin e projektit të Tirana Zoo Park të ri. Nga një horror e kthyem në një zonë idilike.
Një rëndësi të madhe për APR ka ulja e shpenzimeve administrative dhe rritja e investimeve në shërbim direkt të komunitetit e në të mirë publike. Kështu, në vetëm 7 muaj kursyem nga këto fonde duke bërë të mundur që plot 10 milionë Lekë të reja (ose 71 mijë Euro) të rialokohen për sheshe rekreative, investime në parqe e objekte shërbimi për publikun. APR është në impenjim të vazhdueshëm që e gjithë mbështetja që na është dhënë nga Bashkia Tiranë, që është e jashtëzakonshme, të jetë sa më e kthyeshme në të mira materiale e shërbime më të mira për taksapaguesit dhe zhvillim të qendrueshëm.

_MG_0257Një kujdes i veçantë i është kushtuar modernizimit të mjeteve të punës, logjistikës, në funksion të rritjes së rendimentit e të uljes së shpenzimeve operative, të uljes së ndotjes dhe të sigurisë në punë.

APR ka sot një puls të lartë në rrjetet sociale, një website tepër të pasur me informacion, vëmëndje ndaj çdo ankese e denoncimi në aplikacionin Tirana Ime dhe një prezencë të gjerë në programet me komunitetin, dëgjesat, transparencën publike, në media, në këshillimet e rrethet e shoqërisë civile.

Ky volum pune nuk mund të përballohej nëse nuk do kishim kryer një proçes rekrutimi profesional për një strukturë funksionale dhe nëse nuk do kishim përmirësuar strukturën e pagave.  Cilësia e akteve e relacioneve, materialeve e propozimeve për Kabinetin e Këshillin Bashkiak ka qenë tepër i vlerësuar.

 

Blendi Gonxhja – Drejtor i Përgjithshëm

Agjencia e Parqeve  dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë

Njoftim

13012850_555387921316072_2529784884070992454_nSot, datë 19 Prill, ora 17:00 pranë Njësisë Administrative Nr. 6 (Kombinati), organizohet dëgjesa e dytë mbi Projektin e Parkut Rekreativ të Rezervuarit të Kasharit, nga Njësia Administrative Kashar, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë. Ftohen tërë të interesuarit të marrin pjesë në këtë dëgjesë publike ku do mbahen shënim pyetje-përgjigjet e ndryshme mbi projektin.

 

Inventarizimi i Parqeve

APR ka nisur inventarizimin (evidentimi në terren i llojit, diametër, lartësi, moshë, karakteristikat) e gjithë bimësisë, drurëve dhe shkurreve dekorative dhe objekteve funksionale (kosha, stola, memoriale, objekte sanitare, struktura, etj) në Parkun e Madh të Liqenit Artificial si pjesë e punës për përmirësimin e organizimit të administrimit e mirëmbajtjes. Në proces shënohen parcelat, dhe vendndodhja pasi eksperienca e deritanishme evidentonte vetëm sasitë e llojeve – nuk shënoheshin karakteristikat dhe pamundësohej analiza e bimësisë dhe objekteve të Parkut. Me metodën e re të inventarizimit krijohet mundësia e një harte reale të vendodhjes së çdo bimësie dhe pozicioni të çdo objekti si pjesë e një baze moderne të dhënash analitike, zyrtare dhe publike.

Sqarim Publk

Njoftim zyrtar: Nuk ka asnje rast që pemë të shëndetshme të jenë prerë në zonën e projektit të lojrave në park. Të gjitha trungjet e cungjet apo rrënjë të hequra, si kudo në park, janë të pemëve të rrëzuara ose të thara, në çdo rast trajtuar me procedurën e dokumentacipnin përkatës nga specialistët, dhe kjo pa asnjë lidhje me projektin e lojrave. Çdo aludim është i gabuar! Çdo i interesuar mund të njihet me të dhënat në fjalë duke na kontaktuar (info@aprtirana.al ose 0682050136).

Rrezik Për Rënie Pemësh

TREE_DANGER

Lajmërojmë gjithë frekuentuesit e Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës se brenda parkut janë rreth 100 pemë që paraqesin problem dhe rrezikshmëri për rënie, këputje ose rrëzim komplet. APR po evidenton listën dhe ka nisur puna për marrjen e masave për këtë problem (duke informuar K.T. e Bashkisë Tiranë dhe duke ndërhyrë). Barra e këtij problemi të trashëguar nga mosmirëmbajtja siç duhet e parkut na gjen pa mjetet e teknologjinë e duhur, pa infrastrukturën e pa fondet që kërkohen – APR e themeluar në 6 tetor 2015 po ndërhyn intensivisht në PMLAT për sistemimin dhe kthimin në normalitet por rreziku e numri i këtyre pemëve është i lartë – I bëjmë thirrje gjithë frekuentuesve të kenë vëmendje e të kontrollojnë mirë ku ecin, të shmangin kalimin nën pemë të thata e nën trungje të shtrembëra si edhe në ditë me shira e erë. APR po punon për sinjalizimin në terren por lypset kujdesi dhe vëmendja e të gjithëve, sidomos me fëmijët e të moshuarit. Ndalohet çdo lloj lidhje litarësh a lisharësish e çdo hypje në pemë pa konsultuar APR! Gjithashtu çdo informacion i juaji ndihmon: 0682050136.