komunikata-foto

Komunikatë për Peza N’Fest 2016 nga APR – Bashkia Tiranë:

Sivjet Bashkia Tiranë dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizuan aktivitete të shumta me rastin e Peza N’Fest duke nxitur jetesën aktive, aktivitetet rekreative, sportet e promovimin e destinacioneve natyrore panoramike si Parku i Pezës e Liqeni i Fjollës, hipizmin, notin, kanoet, lojrat e garat e ndryshme. Risi tjetër ishte rikthimi historik i Orkestrës Sinfonike dhe Korit të TKOB me një performancë pjesësh të zgjedhura “Për Ty Atdhe” pas 50 vitesh në Pezë.

Maratona e eventeve kulturore e artistike përfshiu yjet e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Ansamblin Folklorik Tirana, Tirana RinFest nga Qendra Rinore TEN me talentet e reja, Bandën e Ushtrisë, Bandën e Tiranës, për t’u kulmuar me SHOW në mbrëmje deri në orët e para të mëngjesit me muzikë nga Shqipëria e Kosova me Altin Goci, Asgjë sikur Dielli, Rezarta Smaja, DJ Tatu, DJ Flekitza e Vegim etj.

Nata e Gjelbër me Vullnetarët e Ambientalistët, MotoShow, Tregu Artizanal e Ushqimor i zonës, Ecovolis e Pedalon me biçikletat, Parku i Lodrave e shërbimet në Park e bënë Pezën sivjet një zonë familjare, sportive, aventurash, shijimi kuzhine të zonës e zbulimi bukurish natyrore, argëtimi e pushimi aktiv si edhe formimi e edukimi për të vegjlit e të rinjtë përveçse përvjetor nderimi e respekti për heronjtë e Atdheut!

APR njohu pjesmarrësit me planet e projektet për Parkun e Pezës e Fjollës dhe avantazhet e Kurorës së Gjelbër të Tiranës në kthimin e vëmendjes tek jetesa e shëndetshme e aktive. Tirana Ime Outdoor, projekti më i ri i APR – Bashkia Tiranë për aktivitetet në natyrë ishte lajtmotivi i aktiviteteve të sivjetshme të Peza N’Fest – Festa e Bashkimit pa Dallim por edhe një mundësi e shkëlqyer për t’a orientuar publikun drejt atraksioneve natyrore e turistike dhe aktiviteteve në kohën e lirë në parqet e zonat rekreative jashtë qytetit të Tiranës.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e themeluar enkas për misionin e një jetese sa më aktive e për zgjerimin e ofertës rekreative për kryeqytetasit falenderon gjithë mbështetësit e partnerët – me kënaqësi konstatuam që nuk patëm asnjë ngjarje negative gjatë festimeve e aktiviteteve, asnjë problem me qarkullimin, asnjë dëmtim (shiu pengoi aktivitetet përmbyllëse, por ne bëmë gjithçka mundëm, albumet e postuara ilustrojnë se edhe me kaq ja kaluam shkëlqyeshëm) – Sukses ishte dhe realizimi i gjithë aktiviteteve vetëm me fonde sponsorizimi e partnerë, pa prekur arkën e qytetit. Mirutakofshim në Peza N’Fest 2017!