_MG_0237Ndryshe nga drejtoritë e tjera të Bashkisë Tiranë, APR ka vetëm 7 muaj aktivitet nga themelimi, përmbledhur në muajt Nëntor 2015 deri sot, mbështetur në eksperiencat më të mira të kryeqyteteve që duam t’u ngjajmë si edhe në respekt të angazhimit elektoral për një kthesë historike në marrdhënien e qytetit me Parqet, Kurorën e Gjelbër, Pyjet, Jetesën e Gjelbër, Bimësinë Dekorative dhe Aktivitetet në Natyrë. Në vetëm 7 muaj, falë kthimit të këtij sektori në një prioritet, ja dolëm të kemi një Agjenci Parqesh dhe Rekreacioni me një profil aktiv, imazh e impakt publik të shkëlqyer dhe të fitojmë shumë kohë të humbur nga asgjëbërësit. Kthyem në fjalorin e ditës termat: Park, Luaj Kudo, Tirana pa Makina, Art Publik, Pedalon, Vizatim Peisazhi dhe Rekreacionin si një nga komponentët më të rëndësishëm të jetës për qytetarët e Tiranës.

_MG_0267Gjendja e arkës së Bashkisë Tiranë, ashtu siç e gjetëm, do të dekurajonte edhe më optimistët, situata mjerane e logjistikës që trashëguam do t’i priste gjunjët edhe më të çmendurve për punë, sirtaret e projekteve bosh dhe gjendja e degraduar rëndë e aseteve në terren do justifikonin mosarritje për vite e vite me rradhë. Por ne nuk erdhëm për të mbushur borderotë, as për stafeta militantësh, nuk erdhëm as për të bërë sikur e as për të kaluar kohën rehat. Erdhëm për të kthyer Tiranën në Drejtimin e Duhur!

Në vetëm 7 muaj, me moton 7 ditë të javës në punë, paradite e pasdite, APR mishëroi qëllimin e krijimit, jetëzoi vizionin e Bashkisë Tiranë dhe ndonëse në kushte të pafavorshme logjistike e buxhetore arriti të përballojë emergjencat, të rikthejë normalitetin në tërë sektorët sa i përket mirëmbajtjes dhe, më e rëndësishmja, APR u bë katalizator projekt-idesh (vetëm në Konferencën SmartCity prezantuam 42 Fisha) e aktivitetesh. Për herë të parë raporti i njeriut me natyrën dhe jetesën aktive administrohet i ndërthurur me punën për peisazhin jeshil, kujdesin për parqet, projektimin e shesheve rekreative, kujdesin për pyjet e bimësinë, ekosistemet, biodiversitetin dhe infrastrukturën rekreative të territorit të Bashkisë Tiranë, tashmë 25 herë më i madh prej reformës territoriale e administrative. Ndërveprimi, pjesëmarrja, frekuentimi nga publiku bëhen objektiva kryesore të punës së APR, duke dhënë përmasë misioni edukativ dhe rol direkt për cilësinë e jetës së kryqytetasve, përkundër modelit arkaik të ndërmarrjeve komunale “rregullo ç’u prish, avash avash”.

_MG_0292Me formësimin e APR Bashkia Tiranë i dha sy, zë e mendje sektorit të Parqeve e Aktiviteteve në Natyrë. Struktura e re e APR operon sot me një Atelier dizajni, peisazhi e inovacioni si edhe me një Inspektoriat “Tirana Park Rangers” për monitorim e kontroll më të specializuar në njësitë rekreative. Drejtoria e re e Planifikimit dhe Zhvillimit të qendrueshëm në vetëm 7 muaj është bërë pjesë e procesit të PPV të ri dhe e dhjetra projekteve ndërsektoriale ndërsa Drejtoria e re e Rekreacionit (Tirana Ime Outdoor) në vetëm 7 muaj ka realizuar 40 aktivitete rekreative në natyrë të cilat kanë kapur një pjesmarrje prej 190 mijë  frekuentuesish, me cilësi por edhe me një bilanc tepër pozitiv kosto/për frekuentues.

Impakti social dhe ekonomik për komunitetin e territorin është një tjetër pikësynim i yni këmbëngulës. Gjatë javës përmirësojmë parqet, në fundjavë ndezim aktivitetet, Atelier projekton, REja tërë hijeshi, Parku i ri i Lojrave gëlon nga frekuentimi – Parqe të Bukura, Njerëz të Shëndetshëm, të Lumtur!

_MG_0300Një tjetër tregues domethënës i punës së APR këto 7 muaj është gjenerimi, mobilizimi, aktivizimi i finacimeve të të tretëve; donatorë, filantropë, mbështetës, bamirës, sponsor për projekte, ide, nisma, punë e të mira publike. Për periudhën Nëntor 2015 – Qershor 2016 vlera e kontributit nga të tretët, me mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë Tiranë është plot sa trefishi i shumës që APR kishte në dispozicion nga buxheti! Serioziteti, pasioni e profesionalizmi na janë shpërblyer në formë direkte në besim, solidaritet e mbështetje, përkthyer kjo në të mira direkte për komunitetin.

Kjo kërkon përkushtim e mendje të hapur, dëshirë konstante për të përkrahur e kurrë për të penguar, kujtesë se nuk kemi ardhur për të qenë në rregull duke mos bërë asgjë. Në vetëm 7 muaj shtuam kapacitetet, rritëm impaktin për cilësinë e jetesës në Kryeqytet  dhe kjo ndërsa strukturohemi e ndërtohemi si organizatë, me 0 trashëgimi e teksa muaj pas muaji shtohen përgjegjësitë e delegimet. Kjo na bën koshient se në rregjim normal pune i detyrohemi publikut edhe më shumë rezultate!

_MG_0287Në terren kemi realizuar vërtetë shumë në 7 muaj – 6700 mbjellje bimësie dekorative të reja, 1.3 milionë m2 kositur e pastruar, 3500 ton evadime, 20 mijë m2 lirim hapësirash publike, 30 mijë m2 rigjelbërim, rikualifikime e rehabilitime, të gjitha flasin për rezultate rekord që do duhet shumë punë t’i tejkalojmë vitin e dytë. Parku i Madh i Liqenit është bërë zona më e frekuentuar e Tiranës.

Në 7 muaj kemi trefishuar vizitorët në Kopështin Zoologjik duke përmirësuar pritjen dhe argëtimin për gjithë moshat, duke krijuar zona me kafshë të buta në kontakt me fëmijët, aktivitete dhe duke rritur kushtet e sigurisë në kompleks. I dhamë prioritet përmirësimit të parkut të gjelbër të këtij aseti deri në përfundimin e projektit të Tirana Zoo Park të ri. Nga një horror e kthyem në një zonë idilike.
Një rëndësi të madhe për APR ka ulja e shpenzimeve administrative dhe rritja e investimeve në shërbim direkt të komunitetit e në të mirë publike. Kështu, në vetëm 7 muaj kursyem nga këto fonde duke bërë të mundur që plot 10 milionë Lekë të reja (ose 71 mijë Euro) të rialokohen për sheshe rekreative, investime në parqe e objekte shërbimi për publikun. APR është në impenjim të vazhdueshëm që e gjithë mbështetja që na është dhënë nga Bashkia Tiranë, që është e jashtëzakonshme, të jetë sa më e kthyeshme në të mira materiale e shërbime më të mira për taksapaguesit dhe zhvillim të qendrueshëm.

_MG_0257Një kujdes i veçantë i është kushtuar modernizimit të mjeteve të punës, logjistikës, në funksion të rritjes së rendimentit e të uljes së shpenzimeve operative, të uljes së ndotjes dhe të sigurisë në punë.

APR ka sot një puls të lartë në rrjetet sociale, një website tepër të pasur me informacion, vëmëndje ndaj çdo ankese e denoncimi në aplikacionin Tirana Ime dhe një prezencë të gjerë në programet me komunitetin, dëgjesat, transparencën publike, në media, në këshillimet e rrethet e shoqërisë civile.

Ky volum pune nuk mund të përballohej nëse nuk do kishim kryer një proçes rekrutimi profesional për një strukturë funksionale dhe nëse nuk do kishim përmirësuar strukturën e pagave.  Cilësia e akteve e relacioneve, materialeve e propozimeve për Kabinetin e Këshillin Bashkiak ka qenë tepër i vlerësuar.

 

Blendi Gonxhja – Drejtor i Përgjithshëm

Agjencia e Parqeve  dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë