Parqet e Pallatit te brigadave

Parku i Pallatit të Brigadave si pjesë integrale e Parkut të Madh të Liqenit. Pallati është jo vetëm një nga nga parqet më të mëdha, por është unikal me gjelbërim ekzotik dhe konsiderohet nga realizimet më të mira dhe të arritura në vendin tone për nga arkitektura e mjedisit.

Sipërfaqja e kompleksit të Pallatit të Brigadave është 74 ha. Gjelbërimi i kompleksit është mbështetur nga projekti i gjelbërimit i Pietro Porcinai (një nga projektuesit më të njohur europianë të pasluftës) dhe projektit të vëllezërve Zgaravatti më 1935.

Pjesën më të madhe të kompleksit e zë Pylli-Park me sipërfaqe 64 ha. Mbjelljet në Pyllin-Park janë bërë midis viteve 1937-1945. Në kompleks janë mbjellë rreth 70 lloje drurësh dhe shkurresh dekorative. Këtu përfshihet bimësi me gjelbërim gjithë vjetor dhe me gjelberim të përkohshëm. Pylli-Park përshkruhet nga rrugë-shëtitore të shtruara me asfalt. Kompleksi ka gjithashtu një sipëfaqe bari prej 52.000 m2, sipërfaqe ujore prej 10.000 m2 dhe sera 1500 m2.

HISTORI

Destinacioni fillestar në projekt i kompleksit të Pallatit të Brigadave ka qenë të shërbente si pallati mbretëror për mbretin Zog. Pallati u projektua nga arkitekti italian Julio Berte dhe u ndërtua gjatë viteve 1936–1941. Gjatë ndërtimit, projekti pësoi ndryshime të thella nga arkitekti italian Gherardo Bosio, duke kaluar nga stili “deko’ i vonë” drejt stilit të “racionalizmit monumental”.

Pallati i Brigadave është i vetmi pallat mbretëror në botë i ndërtuar në këtë stil arkitektonik. Ndërtimi i Pallatit u financua me fonde publike dhe të gjitha materialet u sollën nga Italia.

Pallati u inaugurua në maj 1941 gjatë vizitës në Shqipëri të mbretit Viktor Emanueli III. Gjatë periudhës së pushtimit italian, Pallati shërbeu si rezidencë e Mëkëmbësit të mbretit, ndërsa nga viti 1943 deri në vitin 1944 kompleksi shërbeu edhe si seli e Asamblesë Kombëtare. Gjatë periudhës së Socializmit (1945-1991), objekti është përdorur për pritje dhe ceremoni shtetërore, funksione që i kryen edhe sot.

PARKU

Sipërfaqja e kompleksit të Pallatit të Brigadave është 74 ha. Gjelbërimi i kompleksit është mbështetur nga projekti i gjelbërimit i Pietro Porcinai (një nga projektuesit më të njohur europianë të pasluftës) dhe projektit të vëllezërve Zgaravatti më 1935.

Pjesën më të madhe të kompleksit e zë Pylli-Park me sipërfaqe 64 ha. Mbjelljet në Pyllin-Park janë bërë midis viteve 1937-1945. Në kompleks janë mbjellë rreth 70 lloje drurësh dhe shkurresh dekorative. Këtu përfshihet bimësi me gjelbërim gjithë vjetor dhe me gjelbërim të përkohshëm.

Pylli-Park përshkohet nga rrugë – shëtitore të shtruara me asfalt. Kompleksi ka gjithashtu një sipëfaqe bari prej 52.000 m2, sipërfaqe ujore prej 10.000 m2 dhe sera 1500 m2.

1.PALLATI

Pallati është ngritur mbi kodrat e Saukut në anë të rrugës Tiranë-Elbasan me pamje mbi qytetin e Tiranës. Pallati është vendosur jo në aks të rrugës hyrëse, por në krahun e djathtë të saj dhe kjo është bërë me qëllim që të ruajë intimitetin e vetë objektit dhe banorëve, për të mos u dukur nga jashtë rrethimit. Hyrja e Pallatit është e orientuar nga Jugu, ndërsa krahu i pjesës së apartamenteve mbretërore është i orientuar nga ana e Veriut, me pamje mbi qytetin e Tiranës.

2. SHËTITORJA

Shëtitorja fillon nga hyrja kryesore e Parkut deri tek Odeoni dhe është e kufizuar në të dy krahët me dy rreshta qiparisash, sipas modelit të parqeve fiorentine. Midis qiparisave në distanca të caktuara janë të vendosura ndenjëse guri.

3. ODEONI

Odeoni është projektuar si elementi aksial që do të shihej që nga hyrja kryesore në Park. Odeoni është konceptuar si kolonadë gjysëm rrethore. Në hapësirat mes kolonave janë vendosur bustet e disa figurave historike shqiptare si Vaso Pasha, Bajram Curri, Jeronim de Rada, Abdyl Frashëri, Kostandin Kristoforidhi.

4. SHATËRVANI

Shatërvani është projektuar përpara hyrjes kryesore të Pallatit në aks të portës kryesore. Monumenti i bronxtë i vendosur në të është projektuar nga artisti i madh Odhise Paskali. Shatërvani në projektim i përshtatet pjerrësisë së terrenit, duke u zhvilluar në tre nivele.

5. KISHËZA

Kishëza e Pallatit (Kapela) është projektuar si vendi ku do të kryente shërbesat fetare mbretëresha Geraldinë. Më pas gjatë realizimit projekti nuk u ndryshua duke patur parasysh se edhe monarku italian ishte katolik. Kishëza është objekt njënefësh me dritare të veshura me lastra alabastre.

6. KOPSHTI – LULISHTE

Kopshti-lulishte është vendosur në krahun e djathtë të Pallatit dhe është i rrethuar nga një mur i lartë shkurresh dekorative me lartësi rreth 4 m. Në qendër të Kopshtit është vendosur një shatërvan dekorativ me në qendër një statujë alegorike bronxi.

7. GALERIA E OLEANDRAVE

Galeria e oleandrave ndodhet në zgjatimin e aksit kryesor përtej Odeonit. Galeria është krijuar nga rritja e kultivuar e oleandrave të mbjella dendur në të dy krahët e rrugicës.