kisha shen prokopit

Kisha e Shën Prokopit daton që më 1780-n. Ishte Sundimtari i Tiranës, Ibrahim bej Bargjinolli, që përkrahu ngritjen e kësaj kishe, në shenjë falenderimi për kontributin e familjeve ortodokse. Kisha iu kushtua Shën Prokopit, dëshmor i fesë së krishterë, i cili konsiderohet si shenjti mbrojtës i Tiranës dhe përkujtohet çdo vit në 8 korrik. Kisha ishte një ndërtim i thjeshtë dhe i ulët. Në 1886 përreth saj u ngritën disa ndërtesa të tjera, duke i dhënë formën e një manastiri. I tillë mbeti kompleksi deri në 1937, vit kur u shemb, pasi aty u planifikua të kalonte shëtitorja kryesore e Tiranës, tashmë kryeqytet. Kisha u ringrit aty ku është sot, nga italianët në vitin 1939 si pjesë e kompleksit të bulevardit të madh. Projekti mban firmën e arktitektit të famshëm fiorentin Gherardo Bosios.

Në historikun e kishës së Shën Prokopit për t’u shënuar është edhe xhirimi i filmit “Skënderbeu”(1953). Në ambientet përreth kishës është inskenuar ngjarja e Kuvendit të Lezhës, takimi me të dërguarin e Venedikut si dhe skena e vdekjes së Skënderbeut. Në vitin 1967 edhe kisha Shën Prokopit pati fatin e të gjitha objekteve të tjera të kultit. Ajo u gjymtua, duke iu hequr pjesët harkore. Në vend të saj u ngrit kafe-restorant “Liqeni”. Çka mbeti prej kishës së Shën Prokopit iu kthye funksionit të mëparshëm, vetëm pas gati 30 vjetësh, në 1993-shin, por me një pamje të gjymtuar.