Memoriali i Vëllezërve Frashëri është përuruar te Kodrat e Liqenit me një ceremoni pompoze me 10 qershor 1978 me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë ansambël monumental gjenden eshtrat e Naimit dhe Abdylit, ndërsa Sami Frashëri vazhdon të prehet në tokën turke, megjithë negociatat e vazhdueshme ndërqeveritare. Eshtrat e Abdyl Frashërit u sollën atë në vitin 1978 nga Turqia, ndërsa mbetet interesant historiku i varrit të Naim Frashërit, i cili është zhvendosur pesë herë me kalimin e viteve. Për herë të parë në vitin 1937, me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e Naim Frashërit u sollën nga Stambolli dhe u varrosën pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë, duke parashikuar për më vonë edhe ndërtimin e një varri të denjë për të. Përurimi i ketij varri u bë i mundur vetëm në vitin 1940.

Varri Memorial u ndërtua në oborrin e madh të Kryegjyshatës, i gjithi në mermer të bardhë, në përputhje me stilin monumental të kohës. Mbi të u vendosën simbolet bektashiane dhe një shqiponjë e madhe dykrerëshe e gdhendur po në mermer. Në foton ilustruese shihen autoritetet fetare tek rrijnë me respekt në këmbët e varrit, në qendër, i mbështjellë me flamur kombëtar, qëndron arkëmorti me eshtrat e poetit, para se të ndryhen në varr. Naimi pushoi në këtë memorial, pa e ditur se do ta nxirrnin sërisht që andej. Në vitin 1967, kur u mbyllën institucionet fetare, eshtrat u nxorrën sërish për t’u vendosur në varrin e përbashkët me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit.