memoriali postbllok

Memoriali “Postbllok” është një vepër në instalacion me autorë analistin Fatos Lobonja, ish i dënuar politik dhe artistin Ardian Isufi. “Postbllok” është një vepër monumentale refleksioni ndaj sundimit totalitar dhe përkujtimi e nderimi ndaj të burgosurve politikë. U inaugurua me 26 Mars 2013 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në hapësirën e banuar të njohur si “Blloku”, ku më parë kanë jetuar udhëheqësit më të lartë të regjimit komunist.

Fatos Lubonja ia kushton këtë memorial të gjithë atyre që nuk arritën dot të kapërcenin kohën e diktaturës dhe të jetojnë në këtë kohë, ndërsa artisti Ardian Isufi e vlerëson “Postbllok” si një ndërhyrje artistike e artit postmodern.

Vepra përbëhet nga tre objekte të ndryshme. Nis me disa shtylla betoni të marra nga Burgu i Spaçit, ku të burgosurit ishin të detyruar të punonin. Shtyllat e betonit, të cilat shërbenin si përforcim në galeritë e Minierës së Spaçit, janë të renditura njëra pas tjetrës. Objekti i dytë është bunkeri, simboli i vërtetë i diktaturës komuniste shqiptare dhe objekti i fundit është një copë nga Muri i Berlinit që simbolizon izolimin shqiptar nga pjesa tjetër e botës. Pjesa murit është dhuratë e Bashkisë së Berlinit për Bashkinë e Tiranës.

Afro 100 mijë shqiptarë ishin të burgosur, të dërguar në kampe të internimit ose janë ekzekutuar gjatë regjimit totalitar të Enver Hoxhës, prej vitit 1944 e deri në dhjetor të vitit 1990.