foto web kopshti botanik

Kopshti Botanik i Tiranës daton prej vitit 1971 dhe përfshin një sipërfaqe prej rreth 15 ha. Në të rriten rreth 1.400 lloje dhe nënlloje bimore, kryesisht të vendit tonë. Kopshti Botanik konsiderohet si Njësi Shërbimi Universitar me tematika të ndyshme, ku më kryesoret janë: Studimi i florës dhe bimësisë së Shqipërisë; Studimi i bioekologjisë së bimëve të introduktuara; Studimi i teknologjisë së kultivimit të disa bimëve zbukuruese; Studimi i trashëgimisë së tipareve të trëndafilave të kopshtijeve dhe krijimi i kultivarëve të rinj me hibridim; Përmirësimi i livadheve dhe kullotave natyrore të Shqipërisë; Studimi i agroteknikës së bimëve mjekësore, Monitorimi i florës dhe habitateve të rrallë të kërcënuar të Shqipërisë, etj.

Kopshti Botanik publikon vazhdimisht Treguesin e Farave dhe ka marrëdhënie me rreth 160 Kopshte Botanike të botës. Ai është anëtar i Internacionales së Ruajtjes së Kopshteve Botanike (BGCI). Kopshti Botanik është njëkohësisht Institucion Mësimor dhe Edukues. Kopshti Botanik shërben si një laborator “natyror” për nxënësit dhe studentët e shkollave dhe universiteteve të ndryshëm të vendit.

Ndërkohë shërben edhe si qendër shplodhëse dhe informuese edhe për qytetarët, veçanërisht në lidhje me problemet e florës e bimësisë shqiptare e natyrës në përgjithësi, sidomos të problemeve që kanë të bëjnë me evidentimin e vlerave dhe ruajtjen e saj.

Përpos gjithë funksioneve të tjera, është zgjedhur shpesh edhe si dekor për albumet fotografike për të lidhurit rishtaz në martesë. Shumë çifte kryeqytetase ceremonialin e martesës e kanë të lidhur me pamjet nga Kopshti Botanik.