foto liqeni te parku web

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) në formën që është sot daton në vitin 1957–1958. Zona përmendet për herë të parë në vitet 1700 si vendbanim i vllehëve të ardhur në rrethinat e Tiranës. Ndryshimi i strukturës urbane erdhi njëherazi me shpalljen si kryeqytet më 1925 dhe territori iu nënshtrua planit rregullues të qendrës së re nga arkitekti roman, Armando Brazini, duke u konceptuar si Parku i Florës dhe Faunës. Brenda tij iu dha leje Kishës Autoqefale të rindërtonte Kishën e Shën Prokopit. Masterplani italian nuk arriti të realizohej dhe PMLAT u projektua dhe u ndërtua me aksion popullor në fundvitet ‘50. PMLAT është histori njerëzore e agronomëve, arkitektëve, specialistëve, punëtorëve të gjelbërimit dhe veçanërisht frekuentuesve pasionantë të tij.
 

Sipërfaqja e PMLAT përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e Liqenit Artificial që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreske. Në PMLAT janë vendosur disa vepra historike, arti, social kulturore, përkujtimore, etj ku mund të përmendim, Kishën e Shën Prokopit 1938, Zoo Parkun, Panteoni Memorial i Vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës, Teatri i Hapur, Bisedka Maks Velo, Gurra e Frashërllinjve, lapidari DEBATIK, Guri Monumental i Varrezave të Dëshmorëve, Varrezat e ushtarëve Gjermanë dhe Britanikë, etj. Sipërfaqja aktuale e Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës është 1 569 337 m2, ndërsa ajo e Liqenit Artificial është 450 000 m2. PMLAT përbën masivin më të madh të gjelbërimit në qytetin e Tiranës që ndikon në krijimin e peisazhit, dhe të mikroklimës së zonës.

Në Parkun e Madh të Liqenit gjithsej janë 32958 copë bimësi drurë dhe shkurre të ndara në:

  • 90 lloje drurë pyjorë me 31295 copë
  • 27 lloje shkurre me 938 copë
  • 2 lloje druë frutorë me 95 copë

Tek drurët pyjorë mbizotërojnë llojet:

  • Akacie (Robinia pseudoacacia) 4843 copë,
  • Lis (Quercus frainetto) 4093 copë,
  • Frashër (Fraxinus excelsior) 3274 copë,
  • Selvi (Cupressus sempervirens) 1822 copë,
  • Ligustër japonika (Ligustrum japonicum) 1524 copë,
  • Pishë e egër (Pinus halepensis) 1432 copë,
  • Panjë (Acer negundo) 1247 copë,
  • Cedër (Cedrus atlantica) 1192 copë,
  • Ekualipt (Eucalyptus europaeus) 1126 copë,
  • Lis (Quercus frainetto).

Tek shkurret mbizotërojnë llojet:

  • Ligustër japonika (Ligustrum japonicum) 159 copë,
  • Hibiskus (Hibiscus syriacus) 139 copë,
  • Shegë (Punica granatum) 114 copë,
  • Oleandër (Nerium oleandër) 91 copë, etj.

Gjithashtu në Park ndodhen dhe shpendë si:

  • Bilbili gushëkuq (Sylvia cantillans),
  • Bilbili këngëtar(Sylvia hortensis),
  • Bufi (Bubo bubo),
  • Harabeli i gurëve (Petronia petronia),
  • Shapka e vogël e ujit (Lymnocryptes minimus),
  • Dallëndyshja e zakonshme (Sterna hirundo) vetëm në pranverë-verë, Gardelinë, etj.

Ndër kafshët mund të përmendim: breshka, hardhuca, gjarpërinj, kërminj dhe mjaft insekte që rriten nën tokë dhe mbi tokë.

Agjencia Parqeve dhe Rekreacionit (APR) Tiranë, u themelua në 2015 nga Bashkia Tiranë si një kthesë historike në sektorin e parqeve, kurorës së gjelbërt, rekreacionit dhe aktiviteteve të çdo moshe në kohën e lirë. APR ka ndërmarrë një sërë projektesh për shtimin e hapësirave publike gjithëpërfshirëse në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ofruar falas qytetarëve ku vlen të përmendet Këndi i Lojërave, Këndet e Forcës, Fushat Multisportive, rikonstruksioni i Teatrit të Hapur si edhe bisedkat, çezmat dekorative, stola, kosha, ndriçim, rrjet rrugor, etj. Kalendari i aktiviteteve në park si dhe shumë informacione të tjera të përditësuara rreth PMLAT- së, punës për mirëmbajtjen, ruajtjen, sigurinë, shtimin e biodiversitetit si dhe administrimin e parkut mund të gjenden në faqen e internetit të APR-së, facebook, instagram si edhe në platformën më të re që po i shtohet Bashkisë Tiranë, Tirana Ime Outdoor”.