1

Kopshti Zoologjik, i vetmi park zoologjik publik në Shqipëri, është ndërtuar në vitet 1960-1961, sipas një projekti të hartuar nga specialistë të huaj. Fillimisht është ndërtuar galeria qëndrore, ku gjatë viteve janë ekspozuar kafshë si: rriqebulli, ujku, dhelpra, sorkadhja, shqarthi, qelbësi, ketri, baldosa, kaprolli, gjarpëri, etj, si dhe shpendët si: shqiponja, pelikani, kalqyqja, huta, skifteri, bufi, lejleku, thëllënxa, shkurtëza, fazani, korbi, etj.

Më pas në Kopshtin Zoologjik u ndërtuan edhe basenet ujore (liqenet e vogla ku u ekspozuan shpendë si: mjellmat, rosat e egra dhe u kultivuan peshku i kuq dhe krapi. Kopshti Zoologjik u pasurua me pavionin e zogjve, ku rriteshin për ekspozim si dhe tregëtim zogj si: kanarina, pëllumba të butë, gardelina, papagaj, të cilët u pasuruan me pavionet e pallojve dhe fazanëve.

Që prej nisjes së funksionimit dhe deri në fillim të tranzicionit në vitin 1990, Kopshti Zoologjik dallohej për trajtimin dhe ekspozimin e shumëllojshmërisë së kafshëve dhe shpendëve nga zona të vendit, në mirëmbajtjen e gjelbërimit në tërësi dhe të liqeneve, bisedkave, urave dhe çesmave dekorative në veçanti. Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 32 lloje kafshësh dhe 12 lloje shpendësh, ndërsa është investuar shumë pak për pasurimin e tij me kafshë dhe shpendë ekzotikë.

Pas viteve 1990, për mungesë fondesh, kujdesi dhe vëmendje filloi degradimi i Kopshtit Zoologjik. Gjatë viteve 1994-1995 u krye rikonstruksioni i galerisë qëndrore për të cilën u shpenzuan 350.000 $. Falë këtij investimi ky pavion u bë më funksional dhe i përshtatshëm për qëndrimin dhe ekspozimin e kafshëve. Gjatë kësaj kohe u sollën nga jashtë kafshë të reja si: luani, tigri, majmuni dhe lamat. Në vitin 1995 filloi ndërtimi i guvës së arinjve që përfundoi në 2007 dhe u popullua me tre arinj. Në 1998 u krye rikonstruksioni i pavionit të pallojve tek i cili strehohen lamat.

Pas këtyre viteve nisi sërish degradimi i Kopshtit Zoologjik, investime të pakta, i harruar nga të gjithë dhe me kafshë “të plakura” që rëndoheshin dita ditës.

Me krijimin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Kopshtit Zoologjik (Tirana Zoo Park) ju rikthye sërish vëmendja e munguar prej vitesh. Filloi puna për rehabilitimin e këtij territori, riparimin e stolave e gjithçka që ishte në gjëndje të mjerueshme. Në qershor këtij kopshti iu shtua dhe Shtëpiza e Lepujve, kaq e dashur për vizitorët e vegjël.

foto web lepujt - zoo park

Gjithashtu në vazhdën e fushatës për jetesën aktive, vizitorëve u ofrohet një argëtim i ri – Projekti PEDALON. Në fundjavë frekuentuesit e Parkut Zoologjik mund të shëtisin me biçikletat 4 rrotëshe pa pagesë.

pedalon ne zoo park

Këto janë vetëm disa nga nismat e APR për rehabilitimin e Kopshtit Zoologjik dhe rikthimin e tij në një zonë argëtimi të përshtatshme për fëmijët dhe mbi të gjitha, për kafshët që jetojnë në të. Për t’i siguruar një jetesë sa më të mirë kafshëve vlen të përmendet dhe nisma e fundit e ndërmarrë për strehimin në Tirana Zoo Park të dy arinjve të vegjël të shpëtuar nga abuzivizmi. Në zbatim të kuadrit ligjor për biodiversitetin dhe mbrojtjen e faunës së egër, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit sekuestroi më 4 Gusht dy arinj, rreth 5 muajsh, që mbaheshin të lidhur me zinxhirë në qytetin e Sarandës për qëllime përfitimi. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit mori masa për dërgimin e tyre në Parkun Zoologjik në Tiranë dhe në bashkëpunim me AKZM po punon për projektin e parë të një Rezervati Natyror për arinjtë në zonën e Parkut Kombëtar të Dajtit (Tirana Animal Sanctuary). Paralel punohet në përmirësimin dhe normalizimin e kushteve në Parkun Zoologjik të Kryeqytetit deri në fillimin e punimeve për ndërtimin nga e para.

foto arushet web - tirana zoo park

rokiAq shumë na bënë për vete arushët e vegjël sa ekipi i PR i APR, pas gjetjes së dy emrave që u vendosën nga sugjerimet e publikut, vendosi të shkojë më tej duke i dedikuar poster e imazhe enkas dy heronjve tanë të vegjël! Roki 🐾 & Smoki 🐾 tashmë po ia kalojnë këndshëm me kujdestarët e Tirana Zoo Park, të lirë të lëvizin disa orë në ditë e drejt stabilizimit të gjendjes shëndetësore si edhe larg stresit dhe torturave. Falenderojmë të gjithë ata që treguan vëmendje për këtë ngjarje dhe që i kushtuan dashuri e përkëdheli, përpos kujdesit e përgjegjësisë, dy vogëlushëve të murrmë 5 muajsh.

Tashmë historinë e Roki dhe Smokit e kemi kthyer në libër për ngjyrosje për fëmijë. Shkarko Librin “Roki dhe Smoki”