E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Parku i Pëllumbasit (Projekt)

shpella-pellumbasit

Shpella e Pëllumbasit, kjo mrekulli natyrore, ndodhet në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit rreth 25 kilometra nga qendra e Tiranës, në të majtë të luginës së lumit Erzen. Shtregu që të çon drejt shpellës është i mbrojtur nga parmakë druri dhe ngjitet me shkallare të ndërtuara vitet e fundit përmes një pylli të dendur shkozash. Aty – këtu stola prej druri të krijojnë mundësinë e ndalesës dhe soditjes së madhështisë së maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës), dhe Dajtit përbri.

Mali i Pashkasheshit i veshur me drurë dhe bimësi të shumtë të bën përshtypje me pasurinë e pafundme dhe të shumëllojshme të tyre si: shkozë, frashër, fier, sherbelë etj. Në pjerrësinë shkëmbore të malit të Pashkasheshit dhe pikërisht atë më të thiktën, që koha i ka dhënë format e saj, është hyrja e shpellës. Duke iu referuar pozicionit gjeografik , Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas dhe vjen duke u zgjeruar përherë dhe më shumë kur i afrohesh. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere. Tavani shkëmbor është i mbushur me stalagmite gjithfarë formash dhe dyshemeja e saj me stalaktite, dikur të shumta, por sipas banorëve të Pëllumbasit ato janë vjedhur gjatë kohëve. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditshmet. Më tej shfaqen si skulptura të gdhendura prej shekujsh, kollonat, ku më shumë e ku më pak janë ruajtur nga dëmtimet.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë. Flitet se është e 10 mijë vjetëve më parë, por s’dihet prej sa kohe është zbuluar, veç faktit se studiuesit e fushës speleologjike e kanë zbuluar tepër vonë këtë mrekulli natyrore shqiptare. Vetëm 20 vite më parë janë kryer studime rreth saj, duke përcaktuar disa periudha të zhvillimit njerëzor që nga neoliti, e bronzit dhe e hekurit. Nga gjetjet arkeologjike me interes janë zbulimet e disa enëve, kocka të kafshëve e sidomos të arinjëve të shpellave. Edhe pse është zbuluar vonë ka patur informacione interesante në kuadrin e gjurmëve dhe lashtësisë, sidomos ai i gjuhëtarit elbasanas, Kostandin Kristoforidhi. Jo pak legjenda e bëjnë këtë shpellë vend tepër mistik.