Historiku i Fidanishtes së parë  

Viti 1946, ku në rrugën “Jordan Misja”, tek Arkivi i Shtetit, në fund të një rruge baltovinë të shtruar, në një lagje me një numër të vogël banorësh, me shtëpi shumica përdhese, pas atij grumbullimi ngrehinash të shumta ndodhej një sipërfaqe e rrafshët, me një përbërje toke të frytshme, e parceluar deri diku dhe gjysmë e rrethuar, e cila kishte një kulturë bimësi pyjore dhe ishte e administruar nga dikasteri i atëhershëm bujqësi-pyje bashkë. Në këtë fidanishte pyjore fillon jetën një tjetër fidanishte, tashmë nën administrimin e shërbimeve komunale të kryeqytetit, e emëruar thjesht me një emër “Fidanishtja Brakë Komunale”. Kjo tokë ishte e një dikasteri tjetër dhe bëhet pronë e “Shërbimeve Komunale të Tiranës”.

Pak më tutje, anash mureve të Arkivit të Shtetit, në një tokë disi të rrafshët, pronë e një familjeje, një tjetër fidanishte u shfaq me nje sipërfaqe rreth 4-5 ha. Ndryshe nga fidanishtja e parë e kulturave pyjore-dekorative, që kishte një sipërfaqe deri në 14 ha, fidanishtja e luleve deri në vitin 1946, fillon të prezantohet si një serë e vogël me parcela të pakta, përbri murit të Arkivit të Shtetit. Të dyja fidanishtet kishin varësi nga Shërbimi Komunal i atëhershëm që përfaqësonte një ndërrmarje, fillimisht të vogël por që më vonë u zgjerua shumë në sajë të aktiviteteve të shumta ekonomike që ju atashuan, por gjithmonë ajo ndërrmarje ishte vatra që mbulonte aktivitetin e gjelbërimit në Tiranë dhe në rrethinat e saj.

Pranvera e vitit 1946, mbetet viti i daljes në dritë i fidanishteve të florës dekorative në qytetin nr. “Një” të vendit tonë. Në një libër që është botuar në vitin 1965, në të cilin shkruhet një manual tekniko-shkencor për kulturat e luleve, citohet se në vitin 1946 në kryeqytetin e Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe për të gjithë vendin, fidanishtja e luleve emërtohet si qendra e parë në varësi të “Shërbimeve Komunale të Tiranës”. Kështu, të dyja fidanishtet fillojnë një udhë të gjatë jete, që afërsisht plotësojnë një 70-vjetor duke llogaritur fundin e shekullit XX.

Kulturat e bimëve dekorative, ndaheshin në disa grupe apo kategori si:

  • Bimë të larta, fletore, gjetherënëse gjatë dimrit…Panja
  • Bimë të larta, fletore, dimër e verë gjelberojnë…Manjola
  • Shkurre, me shtat të vogël, gjethe rënëse…Spirea
  • Shkurre me shtat të vogël, gjelbëron gjithë vitin…Dafina
  • Shkurre me shtat afër tokës, për bordurë…Rozmarina
  • Bimë kacavjerrëse me gjethe rënëse ose jo gjatë dimrit…Lule Maji
  • Kultura halore me shtat të lartë…Cedrus
  • Kultura halore me shtat të vogël…Tuja
  • Bimë që çelin lule para gjethimit…Lojfata
  • Kultura bimësh që në vjeshtë gjethet i ngjyrosin…Gingo Biloba
  • Lloje kulturash që i kanë gjethet lara lara…Panja Variegatë
  • Lloje me lëvore të bardhë apo dekorative…Mështekna dhe Langestronia
  • Bimë që kanë frytin dekorativ…Pasiflora
  • Bimë që çelin lule në kohë dimri…Mimozat
  • Kultura bimësh që gjethet e vjeshtës i kuqësojnë…Frashëri
  • Kultura bimësh kurora e të cilës merr forma…Ligustra

Krahas gjinive dhe kulturave të larta dekorative, një radhë gjinish të tjera bimësh, të veçanta e të rralla kultivoheshin në fidanishten tonë. Ndër to përmendim: Phoenix, Washingtonia, Agave, Aloe, etj.

Një serë eksperimentale pranë fidanishtes së luleve në Tiranë

Në qendër të lagjes nr.8, në territorin e Tiranës së Re, jetonte një numër familjesh ideologjike të lidhur me qeverisjen e vendit. Ky territor ishte emëruar ”bllok”. Përveç ngrehinave ku jetonin familjet territori kishte rrugë, sheshe të vogla, oborre e kopshte, taraca, ballkone, dritare dhe ambjente të brendëshme. Këto familje, kishin dobësi për lulet dhe qeverisja e vendit u kujdes që pranë fidanishtes së luleve në Tiranë (të cilës po i vinte fundi, pasi ishte në gjysëm braktisje), aty pas bllokut të serave të vjetra dhe të riparuara të fidanishtes, të ndërtohej një bllok serash të tipit (modern). Objekti do të quhej (Sera Eksperimentale). Këto blloqe serash ishin me ngrohje, me tubacione, ndërtuar me skelete hekuri, me xhamllëk, me rafte dhe tavolina. Ka sipërfaqe të punueshme, serat kanë rrugë ndërmjet tyre, me këndrejtime të ndryshme, sektori është i rrethuar me mure dhe përtej tyre përsëri një rrethim i dytë i thjeshtë. Serat ishin pranë njëra-tjetrës.

Fillimi i shpërndarjes së prodhimit

Fidanishtja nxirrte artikujt bimorë në periudhën e pranverës dhe të vjeshtës për t’u mbjellë nëpër parqe, lulishte, rrugë, oborre e kopshte banesash, nëpër qëndra pune, si dhe jashtë kryeqytetit në periferi dhe gjithashtu nëpër qytete të tjera të vendit. Këto asortimente ishin të një kategorie tjetër dhe me një llojshmëri të madhe: fidanë të ndryshëm, shkurre, kultura bimësh për bordure, bimë kacavjerrëse, lule sezonale, lule shumëvjeçare, kultura bimësh të natyrës halore, pisha, cedruse, selvi, thuja. Nxirrej fidani i parë me rrënjë të plota me shtat të drejtë, me kurorë të krasitur, me rritje gjatësore jo më pak se 10m, me gjethim të plotë dhe në asnjë pjesë të trupit e dëmtuar. Në çdo takim që bëhej në pranverë ose vjeshtë, diçka e re vendosej që kur të dalin nga fidanishtja të ketë një etiketë ku të shkruhej emri i tufave të fidanëve, mosha dhe origjina.

Fidanishtja si fillim kishte të evidentuar shumë pak kultura bimësh të larta dhe lule dekorative, sepse nuk u trashëgua asgjë nga periudha e shkuar dhe në shumë qendra prodhimi kishte akoma lloje bimësh të natyrës pyjore, si akacie, plepa, pisha apo arrë hindi. Më vonë kur sistemet komunale sollën në skenën e fidanishtes së tyre profesionale adhurues të natyrës panorama e fidanishtes tonë mori një pamje tjetër në strukturën e prodhimit dhe hapin më të madh në këtë drejtim e bën fidanishtja e luleve.

Struktura e prodhimit të luleve

Krahas fidanishtes së Florës Dekorative të bimësisë së lartë dhe fidanishtes së luleve, pothuajse kishin po atë pozicion, por tek ato, struktura e prodhimit ishte diçka më e veçantë. Atje kishte lloje bimësh apo kulturash pothuajse me natyrë barishtore dhe gjysëm barishtore, drunore. Struktura e prodhimit të luleve, kishte këtë kuadër:

Lule fushe sezonale, një vjeçare, dy vjeçare dhe disa vjeçare.

Lule fushe me system rrënjësor, rizome, bulbe, qepë.

Lule dhome, për ambjente të brendshme apo lule sere.

Bimë me natyrë gjembaçe, kaktuse, sukulentet.

Bimë ujore, shumë vjeçare me sistem rrënjësore të ndryshme.

Kultura të veçanta egzotike të vendeve tropikale.

Kultura fushe për prodhim buqeta lulesh të çdo stine.

Burimet nga ku merreshin këto lloje lulesh dhe bimësh të veçanta, ishin të shumta. Lulëtaria jonë kishte traditë dhe shumë lloje lulesh ndodheshin nëpër oborret dhe kopshtet e qytetarëve. Dikush sillte nga jashtë vendit edhe ndonjës asi farërash, qoftë dhe minimale. Shumë nga kopshtarët tanë, punonin nëpër objekte shtetërore dhe të huaja, veçanërisht në kryeqytet. Në Kopshtin Botanik të Tiranës, gjenin një tjetër burim për të sjellë në strukturën e fidanishtes të luleve një farë luleje apo një sasi fidanësh të panjohur ndonjëherë.

Fidanishtja e Florës Dekorative, drurë-shkurre-bimë kacavjerrëse, dekorative në rrugën “Jordan Misja” ishte e vetmja që në vendin tonë ushtronte gjërësisht mënyrën e ripërtëritjes së bimëve me mënyrën Margot. Kështu shtoheshin llojet e gjinisë Magnolia, si Magnolia Grandiflora, Magnolia Oborvata, Diffenbachia, Fikuset. Por të gjitha këto mënyra shtimi apo ripërtëritje bëheshin me vështirësi të mëdha dhe me shumë mungesa. Më të ndjeshmet nga këto mungesa, ndodhnin pasi asnjë fidanishte e vendit tonë, nuk kishte pasur mundësi të komunikonte me ndonjë fidanishte të huaj.

Metodat tona dhe baza materiale, ishin anti ekonomike, nuk kishin vazo plastike të destinuara për aktin e ripërtëritjes, as njihej mënyra e mbjelljes së farës jo në grup, apo jo me rreshta dhe nuk njiheshin normativat e farës së përdorur për mbjellje, nuk kishte etiketime për njohjen e fuqisë mbirëse të farës, pastërtisë apo sigurisë dhe nuk ishin të qarta temperaturat e pranueshme për farën që do të mbillej, të ajrit, të lagështisë apo të tokës. Këto vështirësi rëndonin ekonomikisht sektorin e ekonomisë komunale.

Hinkat, ishin prej teneqeje dhe jo plastike te veçanta. Arkat e mbjelljes ishin prej “dërrase druri” dhe vazot e rënda dhe me sistem drenazhimi të pa sigurt ishin “prej balte”.

Për ripërtëritjen e prodhimit, përdorej kjo bazë materiale mbjellëse: fara, copa degësh, bulba, qepë, luspa qepësh, gjethe lulesh, shklesa rrënjësh, copa kërcelli apo degësh të rrënjëzuara, sytha bimësh të zgjedhura, bimka të vogla rreth bimës mëmë apo si tek kaktuset, këlyshë bimkash, shpatullame rrënjë apo me gunga të trasha ose të drejtëpërdrejtë duke mbjelle gjethin dhe këto mënyra shtimi apo riprodhimi u shtoheshin tek kulturat e larta dekorative, lulet, bimët kacavjerrëse, gjembaçet, lulet sezonale apo shumëvjeçare, kulturat bulbore dhe tek ato ujore.