Dajti n’Fest është kthyer tashmë në një traditë e cila mbledh bashkë qytetarë nga e gjithë Shqipëria që janë të apasionuar pas sporteve outdoor dhe natyrës.

Më qindra qytetarë kanë shijuar dëborën e parë e cila dukej si një bekim me bardhësinë e saj për Dajti n’Fest 2017.

Kjo festë është si një Jehonë që i bëhet ditës së maleve.  Që nga fillimet e saj kjo festë gjithnjë e më shumë po i mbledh qytetarët në Dajt për të kaluar një fundjavë ndryshme mes aktiviteteve të ndryshme festive.

Renis Tërshana është ndalur në rëndësinë që kanë organizime të tilla për të zhvilluar vendin .

“E gjithë shoqëria jonë ndan sa më shumë festa dhe ne me sportet që ushtrojmë siç janë fluturimet e lira, garat me motorr, garat me biçikleta dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë këtu ne përpiqemi të festojmë dhe të krijojmë një ambient festiv që të çlirojmë energjinë pozitive që shoqëria jonë ka më shumë nevojë. Unë jam në një moment shumë emocionues pasi ëndrrat e shumë sportistëve të outdoor-it po bëhen realitet dhe kur janë kushtet e duhura që secili të japi maksimumin e tij dhe të jenë shembuj pozitiv për shoqërinë shqiptare dhe zhvillimin e vendit”, tha Tërshana.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i kërkojë nga të gjithë qytetarët që t’u bashkohen eventeve të tilla të cilat nuk ndikojnë vetëm në argëtimin e tyre por nxisin edhe  zhvillimin ekonomik të vendit.

“Aeronautika shqiptare, Renisi, Alketi, Artjopni, të gjithë shokët, gjithë miqtë që të gjithë me shumë pasion në njëfarë mënyrë kanë ngulur një pineskë për të na inkurajuar që të mbështesnim pistën, të mbështesnim ditët e festimit të malit, që ta kthenim  Dajtin në festë dhe traditë dhe prej disa vitesh është kthyer në traditë, meritojnë gjithë respektin tonë”, shprehet Veliaj.

Për Ministrin e Turizmit Blendi Klosi mbjellja e mbi  20 milionë pemëve do të bëhet një realitet me qytetarë që e duan natyrën.

“Ne do të vazhdojmë aksionin tonë të mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve dhe Erioni, kryetari i Bashkisë është një nga mbështetësit kryesorë të kësaj nisme. Do të duhet që çdo ditë ne të mbjellim një fidan, të mbjellim një pemë, do të duhet të krijojmë dashurinë për natyrën, dashurinë për Shqipërinë, dashurinë për familjen tonë”, shprehet Klosi. 

Në aktivitetin Dajti n’Fest 2017 i cili u zhvillua gjatë datës 9-10 dhjetor u zhvilluan një sërë aktivitetesh sportive dhe kulturore.

Në aktivitetet sportive mund të përmendim : Gara profesioniste me Mountain Bike “Downhill” dhe motoçikleta, “Enduro-Dual Track” etj.

Artistët e zonave të ndryshme të Shqipërisë të veshur me veshjet tradicionale kanë interpretuar këngë e valle të ndryshme të cilat ndezën atmosferën në malin e Dajtit.