logo tio png

APP google playAPP ios

Aplikacioni “Tirana Ime Outdoor” (TIO) i jep fund mungesës së informacionit orientues për aktivitetet rekreative të kohës së lirë për qytetarët dhe vizitorët e Tiranës. Ideja u propozua nga APR – Bashkia Tiranë në GoTirana Smart City dhe u jetësua për të ofruar një informacion të përditësuar, në një klik të vetëm, të destinacioneve, mundësive e propozimeve për jetesë të gjelbër, shplodhje aktive dhe rigjenerim e meditim pranë natyrës.

Aplikacioni TIO shërben si një udhërrëfyes me informacione të detajuara mbi destinacione të reja natyrore, shtigje në harta orientuese për të pasionuarit pas ecjes, ngjitjes dhe pedalimit; vendndodhjen e shesheve rekreative gjithëpërfshirëse të nismës Luaj@Tirana; rezervime të Fushave Multisportive, Teatrit të Hapur në Parkun e Madh dhe Instalacionin Reja; kalendarin e aktiviteteve rekreative që zhvillohen jashtë e në natyrë për të gjitha grupmoshat; pika interesi outdoor; gjithçka në gjuhën shqipe dhe angleze. Busull në gishtat dhe ekranin e smartphone tuaj për të zgjeruar horizontin dhe interesin për jetesë aktive dhe të shëndetshme.

Prakticiteti i aplikacionit TIO qëndron në menunë e thjeshtë, të ilustruar qartë dhe të përshtatur për sistemet Android e IOS. TIO është një çelës publik e pa pagesë, që ndihmon hyrjen në një botë të mrekullueshme outdoor dhe të afron me një stil të ri jetese.

Ku ka si Tirona! – Qëllimi i Tirana Ime Outdoor është të zgjojë kureshtjen mbi mundësitë e pafundme që Tirana, tashmë 25 herë më e madhe, fsheh në rrethinat kodrinore e malore, në Kurorën e Gjelbër ku zbulon liqene e panorama mbresëlënëse, komunitete rurale, shije kulinaristike e hire etnografike të harruara. Ekipi APR që punon për TIO, ditë pas dite e gjurmë pas gjurme, i ka prekur informacionet që ofron ky aplikacion duke sjellë një përjetim të vërtetë në një format virtual.