Besnik dhe Rozeta Braho, në shumë mënyrat që mund ti shprehin dashurinë e tyre qytetit, sot zgjodhën atë më mbresëlënësen dhe me mesazhin më të fortë.

Sot të dy, burrë e grua, i dhuruan parkut të Liqenit Artificial 10 pemë florentina, të cilat i blenë nga buxheti i tyre familjar. Dhe jo vetëm kaq, së bashku kishin edhe fëmijë për ta bërë mesazhin edhe më të fortë.

Besniku dhe bashkëshortja e tij janë naftëtarë në profesion, dhe dinë të vlerësojnë natyrën dhe qytetin e tyre.

“E kisha fiksim si familje që qytetit doja ti bëja një dhuratë. Bashkisë së Tiranës dhe menduam pemët. Vajtëm i blemë në një privat në Kavajë dhe i sollëm këtu. Nipi im dhe fëmijët e tjerë. Se këto pemë janë për fëmijët. Për fëmijët dhe pastaj për ne të tjerët”, u shpreh Besniku.

“Ne në fakt të dy jemi të apasionuar pas gjelbërimit, dhe më pëlqen që Tirana të zgjerojë sa më shumë gjelbërimin dhe më vjen mirë që u bëra pjesë e realizimit të kësaj dëshire. Njëkohësisht ne kemi një nip të vogël gati 2 vjeç dhe mendoj që e ardhmja e rritjes së këtyre pemëve i takon të ardhmes së fëmijëve tanë”, u shpreh Rozeta.

Ndjenja e pronësisë për parkun e të gjithëve, e ka bërë zotin Braho që të kujdeset vetë dhe për mirërritjen e pemëve.