inspektoret

Për herë të parë Bashkia Tiranë integron rolin e Inspektorit të Parkut në PMLAT si një figurë përgjegjëse për mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e parkut. Inspektorët e Parkut sigurojnë që vizitorët zbatojnë dhe respektojnë rregullat e PMLAT ku përfshihen siguria, parandalimi i zjarrit, mosdëmtimi dhe shkatërrimi i florës dhe faunës, ruajtja e hapësirave publike, infrastrukturës dhe veprave të ndryshme të ndodhura në territorin e PMLAT.

Ata patrullojnë në terren të gjithë zonën e PMLAT, shtigjet dhe hapësirat përreth deri në kufijtë e tij. Inspektorët e Parkut janë të gatshëm t’ju përgjigjen pyetjeve të vizitorëve për t’i ndihmuar e dhënë orientimin e duhur mbi shërbimet dhe atraksionet e parkut për ta bërë eksperiencën dhe qëndrimin e tyre sa më të këndshëm. APR ka përgatitur një paketë me harta, fletëpalosje rreth historikut dhe biodiveristetit të PMLAT, numra kontakti, etj me qëllim informimin, ndërgjegjësimin, këshilla praktike, etj.

Inspektorët e Parkut kanë një rol të rëndësishëm në prezantimin e rregullave dhe sjelljes qytetare në PMLAT që shërben në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta publike. APR, Bashkia Tiranë synon të afrojë qytetarët me natyrën, jetesën aktive e të shëndetshme, ndaj dhe një nga detyrat e tyre është dhe ofrimi i guidave të veçanta me udhëzime e këshilla praktike në terren. Ata gjithashtu zhvillojnë dhe “Orët e gjelbra në park” me nxënësit e shkollave, grupe të interesuarish, etj informacion i cili gjendet në faqen e internetit të APR: www.aprtirana.al

Info-Point i vendosur në hyrjen veri-perëndimore të PMLAT shërben si qendër informacioni dhe pikë kontakti e Inspektorëve të Parkut me qytetarët dhe vizitorët duke ju vënë atyre në dispozicion hartën e PMLAT-së si dhe informacione të detajuara për zona e pika interesi, aktivitete të ndryshme artistike, kulturore e rekreative sipas kalendarit, informacion për sigurinë në park, etj.