Një vit pas hapjes së këndit të lodrave mjaft të debatuar në Liqenin e Tiranës, kreu i bashkisë tha se vetëm nëpër lagje janë bërë 16 të tillë.

Duke uruar fëmijët për 1 Qershorin, kryebashkiaku Veliaj u shpreh entuziast që tashmë fëmijët e kryeqytetit kanë mundësi që të luajnë aty ku një vit më parë u zhvillua një betejë politike.

“Jam shumë i lumtur sot që së bashku me fëmijët më të mirë të Shqipërisë, që janë padyshim ata të Tiranës, po festojmë në një vend ku para një viti ka pasur shumë beteja, shumë sherre, shumë shamatë, por në fund fare doli një punë e bukur. Sot kemi 1-vjetorin e këndit të lodrave. Më vjen mirë që edhe treni sot është plot, edhe muri ngjitës, edhe fushat e ping-pongut”, tha Veliaj.

Ndërsa, te Pazari i Ri, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, fëmijët e kryeqytetit ndoqën koncertin e organizuar me rastin e  1 qershorit, ku artistët e vegjël performuan numra të ndryshëm baleti dhe këngë. Më pas vendi iu la animatorëve të cilët realizuan disa numra duke u dhënë mjaft kënaqësi të vegjëlve, ndërsa nuk munguan lojërat dhe tullumbacet të cilat e kthyen Pazarin e Ri në një skenë të vërtetë për fëmijët.