Top-channel.tv – Studentët ndërtojnë me fondet e tyre parqet publike
110 studentë, të rinj dhe vullnetarë nga Anglia, Amerika, Çekia etj., kanë mbërritur në Tiranë për të ndihmuar në mënyrë vullnetare, ndërtimin e dy hapësirave rekreative.
Ndërtimi i një lulishteje afër kopshtit numër 20 në kryeqytet dhe një tjetre në perimetrin e bllokut të banesave sociale në Shkozë, janë dy projekte të cilat financohen nga vetë studentët e International School of London dhe të rinj nga organizata Young Life.
“Ky bashkim, kjo prezencë në Tiranë, në këtë rast në dy njësi që ne i kemi zgjedhur rastësisht për nga nevoja që kanë si lagje në periferi, e bën edhe më të rëndësishme këtë eksperiencë, por ne jemi të prekur sepse kanë ardhur me shumë pasion, me shumë zemër, me shumë bindje dhe shumë dëshirë për të na ndihmuar dhe këto ditë jemi habitur nga gatishmëria e tyre për të bërë çdo gjë vetë”, thotë Blendi Gonxhe.
Por çfarë e shtyn, një të huaj, të vizitojë Shqipërinë dhe të bëjë punë vullnetare? Peter, një nga udhëheqësit e grupit, krahas punës, ka vendosur të udhëtojë drejt vendit tonë bashkë me bashkëshorten dhe 3 vajzat e tij.
“Bashkë mund të punojmë, mund të bëjmë ndryshime. Vetë të rinjtë mund të mësojnë gjëra që nuk i kanë bërë më parë dhe e rëndësishme gjithashtu është se çdo vend ka zakonet e tij dhe kjo e bën këtë një eksperiencë të mrekullueshme. Nuk më pëlqen të punoj jashtë vendit tim dhe të qëndrojë gjatë pa familjen time. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë që ata të vinin bashkë me mua. Për vajzat e mia këto janë pushime. Kur po largoheshim nga Çekia u thashë se këto nuk janë pushime, megjithatë për fëmijët e mi është një mundësi e mirë që edhe të luajnë por edhe të mësojnë diçka këtu për punën”, thotë Peter Boudny, Vullnetar çek, Young Life.
Projekti për rekreacionin në njësine 3 në Tiranë dhe ai në bllokun e banesave sociale në Shkozë, do të përfundojnë, në datën 13 të këtij muaji.