
Inspektorët e APR-së në vigjilencë për parandalimin në kohë të zjarreve!
Kujtesë: Muajt shtator-tetor përkojnë me periudhën e fillimit të vjeljes së ullinjve, proces ky që shpesh shoqërohet dhe me vatra zjarri, të cilat në jo pak raste kanë rrezikuar hektarë të tërë toke me vreshta e sipërfaqe pyje! U rikujtojmë fermerëve të bëjnë kujdes për vete e për komunitetin, të heqin dorë nga zjarret që ata ndezin kryesisht me mbetjet e tjera barishtore që pastrojnë ullishtet, si një rrezik potencial i përhapjes së zjarreve masive në zonë e më gjerë! Nisur nga kjo, bëjmë me dije se situata do të vijojë të mbahet nën monitorim, ndjekur dhe nga bashkëpunimi institucional mes instancave përgjegjëse për mbrojtjen nga zjarret. Gjatë kësaj vere, si pasojë e temperaturave të larta, motit të thatë pa reshje, por në mjaft raste dhe papërgjegjshmërisë njerëzore, sipërfaqe të mëdha deri në qindra e mijëra hektarë tokë pyje e kullota u përfshinë nga zjarret, ndërkohë që në Tiranë u shënuan vetëm disa raste sporadike, si rezultat i monitorimit me përkushtim dhe vigjilencë nga inspektorët e APR si dhe koordinimit me grupet vullnetare e komunitetin e zonave në evidentimin dhe kapjen në kohë të parandalimit të zjarreve. Nga ana tjetër, ndërhyrja e shpejtë dhe me efikasitet të lartë e zjarrfikësve në neutralizimin dhe shuarjen e zjarreve ka qenë një ndihmë e vyer në shmangien e pasojave serioze. Garantojmë vijimin e këtij bashkëpunimi me të njejtin seriozitet dhe korrektesë!