Rezervuari i Allgjatës është ndërtuar në vitin 1975 dhe ndodhet 20 km larg qendrës së Tiranës, si pjesë e Njësisë Administrative të Vaqarrit në kufi me Kasharin. Në pjesën perëndimore kufizohet me Njësinë Administrative Ndroq, me fshatrat Mënik dhe Çelebërzezë. Maja më e lartë është maja e Kusit, ndërsa lartësia mesatare mbi nivelin e detit është rreth 300 m. Rezervuari, me një sipërfaqe prej 3 ha, është i rrethuar në pjesën veriore nga pylli mesdhetar i pishës dhe në pjesën jugore nga pylli i shqopës dhe i shkozës në të cilën bimësia paraqitet më e rrallë.
E vetmja sipërfaqe e zhveshur ndodhet poshtë digës në pjesën jugore të saj. E gjithë zona dallohet për vlerat natyrore që na ofron pylli i gërshetuar i pishës mesdhetare me shkozën, shqopën, frashërin, krifshën, me ujërat e kthjellëta të liqenit dhe peisazhin piktoresk të kodrave përreth tij. Sipërfaqja e gjelbërt prej 167.7 ha e pyllit mesdhetar të dushkut me pyllin artificial të pishës e pozicionuar në një lartësi mesatare prej 300 m ofron të gjitha potencialet e mundëshme për krijimin e një parku rekreativ ku do të përfshihen të gjitha hapësirat e nevojshme që ofrojnë mundësi shplodhëse e sportive në natyrë të hapur, por duke respektuar gjithmonë funksionet e parkut dhe vlerat ekologjike të tij. Liqeni i Allgjatës me një sipërfaqe prej 3 ha, përveç ujërave të kthjellëta ofron një bukuri të madhe natyrore duke qënë në zemrën e sipërfaqes së gjelbërt të kësaj zone dhe vetëm 950 m larg nga liqeni i Kusit.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit propozon që ky territor të marrë statusin e Parkut Rekreativ të Allgjatës. Qarkullimi në park do të realizohet duke përdorur zgjatime të rrugëve ekzistuese në pikat kyçe të parkut si pika kampingu, çadrash ose biçikletash. Lëvizja e turistëve dhe shëtitjet në natyrë do mundësohen nga pasarelat e drunjta, kryesisht në zonën perëndimore. Bazuar në konfiguracionin e pyllit ekzistues, krijohet një zonë ideale pikniku, rreth 1200 m2 territor me tapet të mrekullueshëm bari dhe nën hijen e pishave të mbjella deri në afërsi të bregut të liqenit.
Një qendër varkash do pasurojë funksionet e parkut. Gjithashtu bazuar në tabanin e ngjeshur të nënujshëm dhe pastërtisë së ujit të liqenit, mund të krijohet një vijë bregu rreth 100 metra si plazh për amatorët e notit. Duke pasur parasysh se gjelbërimi ekzistues është i cilësisë së lartë, ndërhyrjet në gjelbërim do të jenë kirurgjikale me efekt ngjyrash dhe siluetash. Zona dallohet në aspektin e prodhimit bujqësor e blegtoral, si zonë agroturistike.