Territori i propozuar për park në Vaqarr shtrihet midis fshatrave Lalm dhe Prush dhe përmbush të gjitha kriteret për të qenë një Park Rekreativ. Pozicioni i favorshëm gjeografik dhe afërsia me qytetin e Tiranës, vetëm 956 m larg nga rruga kombëtare dhe 7.7 km nga qendra e qytetit, e bën këtë park lehtësisht të aksesueshëm për vizitorët. Sipërfaqja e përgjithshme e Parkut të Vaqarrit llogaritet të jetë 225 ha, ku përfshihen livadhet e gjelbërta me siperfaqe 12,2 ha dhe baseni që zë 4,5 hektarë.
Kjo zonë dallohet për peisazhin mbresëlënës dhe kombinimin piktoresk të pyllit të pishës së zezë dhe të butë dhe pyjeve të dushkut me ujërat e liqenit Vaqarr.
Në kodrën më të lartë të këtij territori bie në sy Kalaja e Bixhit, ndërtuar që në shekullin e I të Erës së Re, e cila përpos vlerave arkeologjike dhe historike, të ofron dhe një panoramë të mrekullueshme për soditjen e pyllit, liqenit dhe kryeqytetit. Pylli që qarkon zonën është pishë mesdhetare përzier me dafinë dhe me dushk. Llojet mbizotërues janë: pishë e butë (pinus-pinea), pishë deti (pinus-maritima), pishë e egër (pinus-halepensis), dafinë (laurus-nobilis), shkozë (carpinus–orientalus), shqopë (erica-arberea), dëllinjë (juniperus-oksicedrus). Liqeni, me ujë të kthjellët në pjesën më të madhe të vitit është habitati i disa lloje peshqish karakteristikë të ujëra të ëmbla si krapi, mustaku dhe ballgjëri.