Në lartësi të kodrës së Saukut, në kurorën e gjelbër mbi Liqenin Artificial, ngrihet dukshëm një monument i memories së Luftës së Dytë Botërore. Lapidari, i ashtuquajtur i Saukut, i kushtohet një akti heroik të Brigadës së Tretë Sulmuese, e cila qëlloi me top “Kuvendin Kombëtar” që ka hyrë në historinë e pasluftës me emërtimin asamblea kuislinge ose tradhtare. Pas kapitullimit të Italisë, në vitin 1943 dhe pushtimit gjerman, nazistët ngritën Komitetin e Përkohshëm që do drejtonte punët deri në zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese dhe do ligjëronte pushtimin e Shqipërisë. Me propozim të Gogo Nushit, Shtabi i Përgjithshëm N-Ç vendosi që me 18 tetor 1943, ditën e mbledhjes së kuvendit, Brigada III S të kryente aksionin në shpejtësi dhe fshehtësi të madhe. Gjatë natës së 18 tetorit në lartësinë e kodrës së Saukut u vendos topi dhe në mëngjes, dy partizanë dhe një artilier italian, morën shenjestër dhe qëlluan mbi Pallatin Viktor Emanueli (sot Pallati i Brigadave). Shenjestra u arrit dhe jo vetëm Kuvendi nuk u mbajt, por edhe bateritë gjermane të vendosura në juglindje të pallatit u tërhoqën në kazerma.