E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Memoriali i Faik Konicës

Faik Konica u lind në Konicë me 15 mars 1875 dhe ndërroi jetë në Uashington me 15 dhjetor 1942. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe SHBA. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit në SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës: “Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja (Sejfulla Malëshova) im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”.
Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica.