Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit

E-mail:           [email protected] Subscribe below:

    Parqe të bukura, njerëz të lumtur! Instagram:     Aprtirana Tirana Ime Outdoor:     iOS / Android
    Instagram

    Memoriali i Rilindasve

    Memoriali i Vëllezërve Frashëri

    Memoriali i Vëllezërve Frashëri është përuruar te Kodrat e Liqenit me një ceremoni pompoze më 10 qershor 1978 me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë ansambël monumental gjenden eshtrat e Naimit dhe Abdylit, ndërsa Sami Frashëri vazhdon të prehet në tokën turke megjithë negociatat e vazhdueshme ndërqeveritare. Eshtrat e Abdyl Frashërit u sollën në vitin 1978 nga Turqia, ndërsa mbetet interesant historiku i varrit të Naim Frashërit, i cili është zhvendosur pesë herë me kalimin e viteve. Për herë të parë në vitin 1937, me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e Naim Frashërit u sollën nga Stambolli dhe u varrosën pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë duke parashikuar për më vonë edhe ndërtimin e një varri të denjë për të. Përurimi i ketij varri u bë i mundur vetëm në vitin 1940.

    Varri Memorial u ndërtua në oborrin e madh të Kryegjyshatës, i gjithi në mermer të bardhë, në përputhje me stilin monumental të kohës. Mbi të u vendosën simbolet bektashiane dhe një shqiponjë e madhe dykrerëshe e gdhendur po në mermer. Në foton ilustruese shihen autoritetet fetare në këmbët e varrit dhe në qendër, i mbështjellë me flamur kombëtar, qëndron arkëmorti me eshtrat e poetit para se të ndryhen në varr. Naimi pushoi në këtë memorial, pa e ditur se do ta nxirrnin sërish që andej. Në vitin 1967, kur u mbyllën institucionet fetare, eshtrat u nxorrën për t’u vendosur në varrin e përbashkët me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit.

    Naim Frashëri:

    Naim Frashëri lindi në Frashër (Përmet) më 25 maj 1846 dhe vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qëndrore e letërsisë së Rilindjes. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare.

    Abdyl Frashëri:

    Abdyl Frashëri lindi në Frashër (Përmet) më 1839 dhe vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892.

    Abdyl Frashëri nuk është vetëm një nga udhëheqësit kryesorë politikë e ideologjikë, por edhe një organizator e aktivist i shquar, diplomat i talentuar e politikan i madh i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Sami Frashëri:

    Sami Frashëri u lind më 1 qershor 1850 në Frashër (Përmet) dhe u nda nga jeta më 18 qershor 1904 në Stamboll. Sami Frashëri ishte një shkrimtar, filozof dhe dramaturg shqiptar, po ashtu një nga figurat kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të fundit të shekullit të 19-të, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdyl dhe Naim Frashëri.

     

    Memoriali i Mid’hat Frashërit

    Në nëntor të 2018, 69 vite pas vdekjes, përmbushet amaneti i Mid’hat Frashërit për t’u prehur në atdhe pranë vëllezërve Frashëri. Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të tij u zhvillua në Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara të letrave dhe kulturës, studiues, politikanë dhe të afërm të familjes Frashëri. Mid’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit është një nga figurat më të shquara intelektuale shqiptare. Ai ka lënë gjurmë si diplomat, shkrimtar dhe politikan. Eshtrat e rilindasit, shkrimtarit dhe patriotit të madh mbërritën në atdhe pikërisht në javën e përkujtimit të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit që u drejtua prej tij. Mid’had Frashëri lindi në Janinë më 25 mars 1880 dhe u rrit në Stamboll, por gjithë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare. Në korrik 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928 botoi revistën “Kalendari Kombiar” dhe më 1909 themeloi revistën “Dituria” në Selanik, Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908 mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Mid’hat Frashëri ishte gjithashtu një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botërore, ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919 – 1920, ndërsa më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve.

    I përndjekur nga regjimi komunist, i anatemuar si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri në përfundim të luftës u vendos në Itali, më vonë në Londër e më pas në SHBA ku ndërroi jetë më 3 nëntor 1949 dhe ku edhe ishte varrosur deri në nëntor të 2018.

     

    Memoriali i Faik Konicës

    Faik Konica u lind në Konicë më 15 mars 1875 dhe ndërroi jetë në Uashington më 15 dhjetor 1942. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte dhe poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe SHBA. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit në SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

    Eshtrat e tij u kthyen në atdhe në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës: “Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja (Sejfulla Malëshova) im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”.