Terreni përreth Liqenit të Farkës ndodhet në pjesën jugore dhe jugperëndimore të qytetit të Tiranës dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 11 mijë metra katrorë dhe ka një gjatësi prej 760 metra linearë. Liqeni i Farkes ndodhet 9.6 km nga qëndra e Tiranës dhe vetëm 2.3 km nga rruga nacionale gjë e cila e bën këtë park lehtësisht të arritshëm për vizitorët.
Kjo zonë dallohet për biodidersitetin dhe peisazhin tërheqës kodrinor si dhe trashëgiminë natyrore. Pjesë e kësaj trashëgimie janë objekte, peisazhe, ekosisteme, habitate të veçanta, të rralla dhe unikale, relikte, lloje endemike apo të rrezikuara për t’u zhdukur. Si të tilla, ato kanë rëndësi të madhe ekologjike, shkencore, kulturore, didaktike, por edhe turistike, prandaj duhet të ruhen dhe mbrohen me forma e mënyra shumë të rrepta, të përcaktuara saktë dhe prerë në ligje të veçanta. Për vlerat e lartpërmendura propozojmë që zona përreth liqenit të mbrohet duke i dhënë statusin Park Rekreativ.
Liqeni i Farkës, si një ndër asetet kryesore të parkut rekreativ, me një shtrirje prej 75 hektarë sipërfaqe ujore e pastër, do të jetë pjesa më tërheqëse e parkut, pasi është i pasur nga pikpamja e biodiversitetit, duke u bërë habitati i disa llojeve autoktonë të peshqve si Krap, Ballgjer dhe Mustak.
Liqeni karakterizohet nga ujëra tepër të pastërta, të kthjellta pa mbetje urbane apo kallamishte dhe barëra nënujore dhe shihet mundësia për zhvillimin e sporteve të ndryshme ujore si peshkimi sportiv, kanotazhi, gara noti. Shëtitorja shtrihet në krahun lindor të liqenit me një gjatësi prej 760 metra linearë, shumë afër vijës ujore të basenit, lehtësisht e aksesueshme nga ana e frekuentuesve, në gjendje të gatshme për t’u kthyer në pjesën më të rëndësishme të parkut.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, duke parë potencialin e madh që ofron ky territor, ka filluar ta shfrytëzojë si zonë rekreative për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme outdoor, duke u përqendruar mbi të gjitha tek sportet ujore, për ta kthyer atë në një pikë referimi për frekuentuesit e të gjitha grupmoshave të cilët duan të kalojnë disa orë të qeta në ajër të pastër e larg zhurmës së qytetit.