Parku Helen brenda Parkut të Liqenit të Farkës u përurua më 18 qershor të vitit 2021. I propozuar nga APR si një park gjithëpërfshirës për të qëndruar përballë Parkut të Puglias dhe atij Turk, Parku Helen gjeti mbështetjen e biznesit dhe Ambasadës Greke me rastin e 200 vjetorit të pavarësisë së Greqisë. I ndërtuar në një sipërfaqe prej 5500 m² brenda Parkut të Liqenit të Farkës, Parku Helen është konceptuar si shumëdimensional dhe gjithëpërfshirës për sport, aktivitet fizik dhe artistik me bimësi tipike mesdhetare si një urë lidhëse mes Shqipërisë e Greqisë, amfiteatër, kënd force, kënd lojërash, stola në formën e izoipseve dhe të ndriçuar me led, si dhe një mol për varkat dhe aktivitete të ndryshme, një ndër to dhe aktiviteti i përvitshëm TiRAnaThlon, tashmë me standartet e BE. Ndërtimi i Parkut Helen erdhi si nevojë e shtimit dhe diversifikimit të hapësirave rekreative gjithëpërfshirëse në parqet e qytetit për të nxitur dhe promovuar jetesën sociale e aktive kudo në qytet. Ky park është një tjetër hapësirë e përbashkët argëtuese, ndërvepruese dhe relaksuese që i shtohet komunitetit në Farkë, por edhe banorëve të Tiranës, që frekuentojnë Parkun e Liqenit të Farkës.