
Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) në formën që është sot daton në vitin 1957–1958. Zona përmendet për herë të parë në vitet 1700 si vendbanim i vllehëve të ardhur në rrethinat e Tiranës. Ndryshimi i strukturës urbane erdhi njëherazi me shpalljen si kryeqytet më 1925 dhe territori iu nënshtrua planit rregullues të qendrës së re nga arkitekti roman, Armando Brazini, duke u konceptuar si Parku i Florës dhe Faunës. Brenda tij iu dha leje Kishës Autoqefale të rindërtonte Kishën e Shën Prokopit. Masterplani italian nuk arriti të realizohej dhe PMLAT u projektua dhe u ndërtua me aksion popullor në fundvitet ‘50. PMLAT është histori njerëzore e agronomëve, arkitektëve, specialistëve, punëtorëve të gjelbërimit dhe veçanërisht frekuentuesve pasionantë të tij.
Sipërfaqja e PMLAT përbëhet nga një masiv kodrinor me shpate me pjerrësi të vogël. Në pjesën jugore formohet pasqyra ujore e Liqenit Artificial që me shtrirjen e tij krijon gjire e gadishuj të vegjël shumë piktoreske. Në PMLAT janë vendosur disa vepra historike, arti, social-kulturore, përkujtimore, etj ku mund të përmendim: Kishën e Shën Prokopit 1938, Panteoni Memorial i Vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës, Amfiteatri, Bisedka Maks Velo, Gurra e Frashërllinjve, lapidari Debatik, Guri Monumental i Varrezave të Dëshmorëve, Varrezat e ushtarëve Gjermanë dhe Britanikë, etj. Sipërfaqja aktuale e Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës është 1 569 337 m2, ndërsa ajo e Liqenit Artificial është 450 000 m2. PMLAT përbën masivin më të madh të gjelbërimit në qytetin e Tiranës që ndikon në krijimin e peisazhit dhe të mikroklimës së zonës.
PLANIMETRIA E PARKUT TË MADH SIPAS PROJEKTIT FILLESTAR
Në Parkun e Madh të Liqenit gjithsej janë rreth 32 958 copë bimësi drurë dhe shkurre të ndara në:
- 90 lloje drurë pyjorë – 31 295 copë,
- 27 lloje shkurre – 938 copë,
- 2 lloje drurë frutorë – 95 copë.
Tek drurët pyjorë mbizotërojnë llojet:
- Akacie (Robinia pseudoacacia) 4843 copë,
- Lis (Quercus frainetto) 4093 copë,
- Frashër (Fraxinus excelsior) 3274 copë,
- Selvi (Cupressus sempervirens) 1822 copë,
- Ligustër japonika (Ligustrum japonicum) 1524 copë,
- Pishë e egër (Pinus halepensis) 1432 copë,
- Panjë (Acer negundo) 1247 copë,
- Cedër (Cedrus atlantica) 1192 copë,
- Ekualipt (Eucalyptus europaeus) 1126 copë,
- Lis (Quercus frainetto).
Tek shkurret mbizotërojnë llojet:
- Ligustër japonika (Ligustrum japonicum) 159 copë,
- Hibiskus (Hibiscus syriacus) 139 copë,
- Shegë (Punica granatum) 114 copë,
- Oleandër (Nerium oleandër) 91 copë, etj.
Gjithashtu në Park ndodhen dhe shpendë si:
- Bilbili gushëkuq (Sylvia cantillans),
- Bilbili këngëtar (Sylvia hortensis),
- Bufi (Bubo bubo),
- Harabeli i gurëve (Petronia petronia),
- Shapka e vogël e ujit (Lymnocryptes minimus),
- Dallëndyshja e zakonshme (Sterna hirundo) vetëm në pranverë-verë, Gardelinë, etj.
*Të dhënat pasqyrojnë inventarin e gjetur në tetor 2015.
*Nga viti 2016 deri më mars 2023 mbjelljet e reja në park janë 31000 drurë dhe shkurre.
Ndër kafshët mund të përmendim: breshka, hardhuca, gjarpërinj, kërminj dhe mjaft insekte që rriten nën tokë dhe mbi tokë.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) Tiranë, u themelua në 2015 nga Bashkia Tiranë si një kthesë historike në sektorin e parqeve, kurorës së gjelbër, rekreacionit dhe aktiviteteve të çdo moshe në kohën e lirë. APR ka ndërmarrë një sërë projektesh për shtimin e hapësirave publike gjithëpërfshirëse në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ofruar falas qytetarëve ku vlen të përmendet Këndi i Lojërave, Këndet e Forcës, Fushat Multisportive, rikonstruksioni i Teatrit të Hapur si edhe bisedkat, çezmat dekorative, stola, kosha, ndriçim, rrjet rrugor, etj. Kalendari i aktiviteteve në park si dhe shumë informacione të tjera të përditësuara rreth PMLAT-së, punës për mirëmbajtjen, ruajtjen, sigurinë, shtimin e biodiversitetit si dhe administrimin e parkut mund të gjenden në faqen e internetit të APR-së, facebook, instagram si edhe në aplikacionin “Tirana Ime Outdoor”.
Diga
Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është ndërtuar në vitet 1957-1958 si pjesë e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, për të krijuar një kompleks atraktiv për banorët e Tiranës. Ajo përbëhet nga këto vepra kryesore: Diga, Vepra e shkarkimit, Ujëlëshuesi, Porta dhe mekanizmat pwr shkarkimin, Kapwrderdhwsi i prurjeve tw tepwrta si dhe sifoni i shkarkimit. Është digë homogjene (dheu), me vëllim të trupit të digës 110 000 m³. Bazamenti i saj është gjysëm shkëmbor (tokë). Lartësia e digës nga kurora deri në pikën më të ulët të gërmimit është 17 m. Ndërsa gjatësia e kurorës së digës është 600m.