E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Amfiteatri i Tiranës (Teatri i Hapur)

Idetë për të gjithë kompleksin e kodrave të liqenit si dhe veprat e artit në të janë dhënë nga arkitektja Valentina Pistoli në 1957 dhe u ndoq nga një grup inxhinierësh bullgarë të kryesuar nga arkitekti Zheko Zhikov në 1961. Gjithçka e tyre kishte mbetur në letër, kur në vitet ’60 prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, solli si reaksion zinxhir ftohjen me të gjitha vendet satelite të Lindjes. Në këtë boshllëk gati 13 vjeçar, pas largimit të bullgarëve, Byrosë së Projektimit në Komitetin Ekzekutiv, iu kërkua me ngulm ky objekt, në Parkun e Madh që rrethon Kryeqytetin. Në vitin 1973, inxhinieri Temo Vito mori detyrën e projektimit për një kino-teatër. Gjithçka filloi brenda rregullave të kohës.

U përcaktua vendi i ndërtimit të teatrit, detyrat që duhet të zgjidhnin, forma e objektit, rëndësia e tij dhe me radhë të gjithë elementët, bashkë më preventimin. Temo Vitos iu kërkua që objekti të merrte parasysh gjelbërimin e zonës, pjerrësinë natyrale të kodrinës dhe ruajtjen e të gjithë strukturës së tokës. Shqetësimi më i parë ishin disa ullinj shekullorë dhe sipas një logjike, që është gati një bestytni te shqiptarët, ata nuk mund të priteshin. Falë agronomit shkencëtar Abedin Çiço u arrit që ullinjtë të zhvendoseshin diku më tej në park. Kjo i hapi udhë realizimit të projektit, zbatimi i të cilit, u mor përsipër nga Kantieri i Ndërtimit “21 dhjetori”. Amfiteatri i Tiranës u inaugurua në pranverën e vitit 1974, duke u kthyer në një arenë aktivitetesh. Amfiteatri është i paisur edhe me skenën, podiumin, dhomat e zhveshjes së artistëve, gjithashtu edhe me sallën teknike nga ku projektohet në skenë.

Pas viteve nëntedhjetë fama e teatrit veror erdhi duke u zbehur, jo vetëm në repertorin e aktiviteteve, por edhe në mirëmbajtjen fizike! Ulëset prej betoni u degraduan nga viti në vit duke shkuar drejt rrënimit. Bashkia e Tiranës, pasi testoi për dy vjet rresht interesin e publikut me aktivitete të shumëllojshme, nisi rehabilitimin rrënjësor të tij në vjeshtë të vitit 2017. Nga 30 maji 2018, Amfiteatri i Tiranës i rindërtuar, pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm, mirëpret artëdashësit me një kalendar të pasur aktivitetesh artistike e kulturore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të parkut në një pikë të rëndësishme për qytetarët.

Rezervo skenën e Amfiteatrit të Tiranës në linkun: http://apr.codelabour.al/rezervo-amfiteatrin-e-tiranes/