Aplikacioni “Tirana Ime Outdoor” (TIO) shërben si një udhërrëfyes me informacione të detajuara mbi destinacione natyrore dhe shtigje në harta orientuese për të pasionuarit pas ecjes, ngjitjes dhe pedalimit.
Prakticiteti i aplikacionit TIO qëndron në menunë e thjeshtë, të ilustruar qartë dhe të përshtatur për sistemet Android e IOS. TIO, i cili vjen në gjuhën shqipe dhe angleze, është një çelës publik e pa pagesë, që ndihmon hyrjen në një botë të mrekullueshme outdoor dhe të afron me një stil të ri jetese.
Qëllimi i Tirana Ime Outdoor është të zgjojë kureshtjen mbi mundësitë e pafundme që Tirana, tashmë 25 herë më e madhe, fsheh në rrethinat kodrinore e malore, në Kurorën e Gjelbër ku zbulon liqene e panorama mbresëlënëse, komunitete rurale, shije kulinaristike e hire etnografike të harruara. Ekipi APR që punon për TIO, ditë pas dite e gjurmë pas gjurme, i ka prekur informacionet që ofron ky aplikacion duke sjellë një përjetim të vërtetë në një format virtual.