“Parku Rinia” është parku publik qendror i kryeqytetit, konceptuar në vitin 1931 dhe ndërtuar në vitin 1949. Ai mbulon një sipërfaqe prej 29.81 ha. Për qendrën e Tiranës u hartuan disa variante projektesh, të cilat pavarësisht nga ndryshimet që pësuan deri në realizim, kishin në bosht aksin e bulevardit ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët e qytetit, vend që asokohe ishte hapësirë e zbrazët. Projekti i parë nis që në 1923, por varianti më i suksesshmëm, në përshtatje me ambiciet e Mbretit Zog për ta bërë Tiranën një qytet modern europian, daton në 1931 dhe mban firmën e arkitektëve italianë Brasini dhe De Fausto. Sipas këtij plani, u ndërtua kompleksi i ministrive, Bashkia e Tiranës, Banka Kombëtare, lulishtja e këtij kompleksi qëndror, sheshi qendror me shatërvanin si dhe ai që sot njihet si “Parku Rinia”.
Ndërsa natën e 28 Nëntorit ‘49, duke u gdhirë Dita e Çlirimit, me punë vullnetare u pyllëzua parku nga të rinjtë tiranas, aksion që i dha emrin që mban edhe sot “Parku Rinia”. Me rastin e festimeve të 5-vjetorit të Çlirimit në vendin e projektuar për park, bleronte tashmë një pyll madhështor eukaliptesh, plepash e akaciesh. Ky park, gjatë 40 viteve të para është parë si një hapësirë relativisht e lirë për të rinjtë e Tiranës dhe si zonë e gjelbër për familjet dhe fëmijët. Më vonë, aty u ndërtua një kompleks me kafene dhe restorante, duke e quajtur me ironi “Taiëan”.
Në vitin 1991, pas rrëzimit të komunizmit, “Parkun Rinia” e mbuluan ndërtimet ilegale. Shumica e këtyre objekteve ishin kioska, bare e restorante, dhe parku u bë i njohur si vatër e papastërtisë dhe krimit në Tiranë. Gjatë pastrimit të qytetit në vitin 2000, këto ndërtesa u rrafshuan dhe parku u rehabilitua në të gjithë sipërfaqen. U shkatërruan 130 ndërtesa dhe u hoqën mbi 45.000 m3 mbeturina.
Sot, “Parku Rinia” ka një sipërfaqe prej 29.81 ha me hapësira të gjelbra dhe një reliev të ndryshëm në sipërfaqe të caktuara, çka shërben jo vetëm si një mur akustik, por nxit edhe aktivitete fizike për fëmijët. Krahas një hapësire të veçantë që i është dedikuar atyre që dëshirojnë të luajnë me katërputroshët, janë krijuar mini-sheshe për fëmijë e të moshuar.
Ky park i ka kaluar APR-së nën administrim me VKB nr.49 datë 26/04/2018.
Parku Rinia nga Qershori 2020
.Në Korrik të vitit 2019 nisën punimet për transformimin e “Parkut Rinia” dhe kthimin e tij në një hapësirë çlodhëse për të gjitha moshat.
Më 1 Qershor të vitit 2020, në festën e fëmijëve u përurua “Parku Rinia”, i ndryshuar tërësisht. Për të parën herë u arrit të krijohej një sipërfaqe e veçantë për 4 putroshët me një sipërfaqe prej afro 600 m2, ku qentë dhe shoqëruesit e tyre mund të shfrytëzojnë hapësirën e gjelbërt dhe disa lodra të thjeshta të krijuara për kohën e lirë. Po ashtu, “Ishulli i lojërave” me një sipërfaqe prej 1759 m2 është këndi më i madh e më i shfrytëzuari nga fëmijët e kryeqytetit, nga mengjesi (rreth ores 9.30) e deri në orët e vona të mbrëmjes (ora 22.00). Ndriçimi i parkut ndryshoi tërësisht, duke krijuar kushtet e përshtateshme për shfrytëzimin e parkut deri në orët e vona të mbrëmjes. Është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura rrugore, nëpërmjet shtrimit të rrugëve kryesore me pllaka dhe grumbullimi i ujrave sipërfaqësore nëpër rrugë nëpëmjet pusetave ujëmbledhëse. Është krijuar sheshi i amfiteatrit, që mungonte në parkun e vjetër. Është përsosur interneti në park, i kërkuar prej kohësh nga përdoruesit e parkut. Janë shtuar (deri në trefishim) vëndet për t’u ulur në park, nëpërmjet shkallareve (tek lodrat, në rrugën kryesore dhe amfiteatri) si dhe stolave të tjerë prej druri. Është investuar në basenin e ujit tek Monumenti i Pavarësisë dhe kanalin e ujit deri në basenin ujëmbledhës, duke i dhënë asaj pjese të parkut bukuri dhe freski.