Historiku
Ndërtimi i një Zoo Parku është folur përnjëherësh me ndërtimin e qytetit, pas shpalljes së Tiranës Kryeqytet. Në korrespondencën e fundviteve ’20 kemi hasur me këtë emërtim në dokumentet arkivore të AQSH. Por formën e projekt-idesë e ndeshim në planin rregullues të qendrës së re të Tiranës nga arkitekti roman, Armando Brazini, duke u konceptuar si Parku i Florës dhe Faunës. Masterplani italian nuk arriti të realizohej dhe Parku i Liqenit u ndërtua në gjurmët e tij me aksion popullor në fundvitet 1950, ku u ngrit diga dhe u pyllëzuan kodrat e buta përreth tij. I gjithë ansambli u përmbyll me Kopshtin Zoologjik, që u përurua në vitin 1966. Gjendet në zonën e gjelbër të Tiranës, në krah të Kopshtit Botanik dhe bashkë me Parkun e Madh bëjnë kurorën e gjelbër të qytetit. Fillimisht është ndërtuar galeria qendrore, ku gjatë viteve janë ekspozuar kafshë mesdhetare si: rrëqebulli, ujku, dhelpra, sorkadhja, shqarthi, qelbësi, ketri, kaprolli, etj; dhe shpendët si: shqiponja, pelikani, qyqja, huta, skifteri, bufi, lejleku, thëllënxa, shkurtëza, fazani, korbi, etj. Më pas në Kopshtin Zoologjik u ndërtuan edhe basenet ujore, liqenet e vogla ku u ekspozuan shpendë si: mjellmat, rosat e egra dhe u kultivuan peshqit e kuq dhe krapi.
Rreth viteve 1973, Kopshti Zoologjik u pasurua me pavionin e zogjve, ku rriteshin për ekspozim si dhe tregtim zogj si: kanarinat, pëllumbat e butë, gardelinat, papagajtë, pallonjtë dhe fazanët.
Pas viteve 1990, ky Park Zoologjik nuk përmbushte më standartet dhe konceptet bashkëkohore, ku kafshët të mund të strehoheshin në kushte optimale dhe interesi i njerëzve për ta vizituar ra ndjeshëm. Për këtë arsye, lindi nevoja e rikonceptimit dhe e transformimit të kësaj hapësire me shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët. Zoo Parku u pasurua me kafshë të egra ekzotike, fermën shqiptare si dhe me mjedise rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra të shfrytëzueshme edhe për piknik, këndet e lojërave për fëmijë, por dhe mjediset edukative për studentët dhe nxënësit.
Zoo Park Tirana 2022, një hapësirë e transformuar dhe e përkryer për argëtimin e fëmijëve, është rikonceptuar si një mjedis i përshtatshëm për kafshët, si dhe me hapësira çlodhëse e parking nëntokësor për vizitorët.
Një hapësirë e veçantë në Zoo Park i është dedikuar klasave didaktike. Këto mjedise do të mirëpresin nxënës dhe studentë duke u ofruar mundësi për të eksploruar botën e larmishme të kafshëve.
Vizita në Kopshtin Zoologjik do të jetë një aktivitet që zgjat gjithë ditën, ku përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për vizitorët. Krahas këtyre, në kopësht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit.
Biletaria:
E hëna: Mbyllur
Orari dimëror (1 tetor – 30 prill): 09:00 – 17:00
Biletaria mbyllet në 16:30
Orari veror (1 maj – 31 shtator): 09:00 – 20:00
Biletaria mbyllet në 19:30
Çmimi i biletës:
• Për të rritur:
Tarifë e plotë: 300 lekë
Tarifë e pjesshme: 200 lekë
• Për fëmijë:
Tarifë e plotë: 200 lekë
Tarifë e pjesshme: 100 lekë
Çmimet e mësipërme bazohen në VKB nr. 158, datë 26.12.2019, në nenin 59, “Tarifat për Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit” – Kopshti Zoologjik.
• Karta e Studentit: Studentët tarifohen me 50% të pagesës, pas paraqitjes së Kartës së Studentit.
Tarifa e plotë: Vizitohen të gjitha hapësirat e parkut, përfshirë Dino Zone
Tarifa e pjesshme: Vizitohen të gjitha hapësirat e parkut, përjashtuar Dino Zone
Klasat mësimore:
Në Tirana Zoo Park jo vetëm vizitojmë kafshët dhe argëtohemi, por edhe mësojmë mbi faunën e jo vetëm në klasat edukative. Për të rezervuar orën dërgo kërkesën në: [email protected]