Internship me APR
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit i siguron studentëve hapësirat e duhura për zhvillimin e praktikave profesionale dhe krijimin e kontakteve të para me tregun e punës. APR-Bashkia Tiranë mirëpret praktikantët që ndjekin studimet për Agronomi, Hortikulturë e Mbrojtje Bimësh, Agromjedis dhe Ekologji, Teknologji Agroushqimore, Zooteknik, Inxhinieri Pyjore, Përpunimi i Drurit, Arktitekt Mjedisi, Urbanist, Inxhinier Mjedisi, etj.
Praktika profesionale apo internshipi është një mënyrë efektive e zhvillimit praktik dhe profesional i eksperiencës akademike, ku studentëve u jepet mundësia të përfitojnë eksperiencë profesionale jo vetëm në fushën e tyre të studimit, por edhe më gjerë. Internshipi ju lejon të zhvilloni dhe përmirësoni aftësitë tuaja dhe ju ndihmon të jeni më konkurrent në tregun e punës.
- Përse shërbejnë praktikat profesionale:
- Përfiton një eksperiencë të mirë pune;
- Zhvillon aftësitë praktike dhe profesionale;
- Njihesh me mundësi të ndryshme për karrierën e ardhshme profesionale;
- Rrit besimin tek vetja;
- Rrit vlerën e CV-së;
- Ndërton kontakte të nevojshme.
- Koha e ndjekjes së internshipit:
Periudha më e përshtatshme për të kërkuar për një internship është gjatë përfundimit të vitit të tretë bachelor dhe gjatë ndjekjes së studimeve master. Konsiderohet e tillë sepse njohuritë akademike janë më të shumta dhe mund të shfytëzohen më mirë nga studentët, por gjithsesi eksperiencat praktike janë të vlefshme në çdo kohë që ju e vlerësoni të arsyeshme.
- Organizimi i programit internship:
Internship-et që zhvillohen gjatë vitit akademik kërkojnë mesatarisht 10-20 orë në javë. Kjo kohëzgjatje i lejon studentët në të njëjtën periudhë të frekuentojnë programin studimor dhe programin e internship-it. Përgjithësisht janë institucionet dhe bizneset ato të cilat përcaktojnë programin e internship-it që duhet të ndjekë studenti, por kjo mund të vendoset dhe në bashkëpunim me zyrën e karrierës.
Mbresat e Eneidës mbi internshipin pranë APR!
Jam shumë falenderuese ndaj Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit që më dha mundësinë të zhvilloja praktikën mësimore dhe jo vetëm. Gjatë këtyre muajve mësova shumë edhe në lidhje me ambientin e punës, komunikimin midis kolegëve dhe mbi të gjithe të dua edhe më shumë profesionin që kam zgjedhur. Përqafova çdo ditë ambiente të ndryshme të zyrave, parqeve, të organizimeve dhe aktiviteteve rekreative e sportive. Ishte një ekperiencë shumë e veçantë për mua. Pata mundësinë të njoh nga afër inxhinierë, arkitektë, urbanistë, agronomë të cilët ishin shumë miqësore, të mirëkuptueshëm dhe shumë të kualifikuar duke më ndihmuar, duke marrë në konsideratë mendimin dhe kontributin tim gjatë orarit të punës. Në mendimin tim, APR është një agjenci shumë thelbësore në administrimin dhe mirëmbajtjen e parqeve, gjë të cilën e demostrova çdo ditë teksa shikoja punën në terren në liqen, park, sera, shtigje të reja, aktivitete… Unë u kujdesa që punët të bëheshin si duhet dhe kënaqesia që të falte gjelbërimi i mjedisit ishte shumë e veçantë. Kjo ekperiencë më bëri të ndihem edhe më e motivuar për t’u specializuar në këtë fushë e të kontribuoj në vendin tim dhe pse jo të sjell projekte dhe ide inovatore në bashkëpunime të mëtejshme me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Faleminderit stafit që ishit jashtëzakonisht mikpritës, mbështetës, të dobishëm në këshillat që më ofruat për karrierën dhe mundësitë që më këni dhënë!
Përzemërsisht dhe sinqerisht, Eneida Blloshmi (Qershor 2021)
Erda Gega
Intershipi pranë agjencisë tuaj është një nga eksperiencat më të bukura që mund t’i ofrohet një studenteje. Si një agjenci e cila merret me kurorën e gjelbër të Tiranës, peizazhin e gjelbër dhe parqet, praktika me ju është e përshtatshme për degën ku unë jam duke ndjekur studimet.
Është një mundësi shumë e mirë për mua të ndjek nga afër projekt-idetë e propozuara për këta sektorë të Bashkisë së Tiranës duke marrë eksperiencë me ndikim në formimin tim profesional. Këtu kam mësuar edhe më shumë prej arkitektëve dhe urbanistëve të tjerë. Krahas të qënit afër me shumë projekte zbatimi, kjo është edhe një mundësi shumë e mirë për shkëmbim eksperiencash dhe njohurish në ekip.
Në fillimet e këtij intershipi, mendoja se ndihma ime do të ishte shumë e vogël dhe se do të përfshihesha shumë pak në projektet e agjencisë. Me kalimin e kohës, këtu shtohen projektet dhe pjesa tjetër e arkitektëve më integruan në projektet që merrnin përsipër. Kështu, unë krahas shtimit të njohurive të mia, kontribuoj edhe në punët konkrete të agjencisë.
APR është një agjenci që i duhej Tiranës dhe jam e sigurt që do të mund të bëjë shumë për qytetin. Përbëhet prej njerëz të cilët duan të punojnë dhe të kontribuojnë shumë në këtë vend me idetë e tyre. Si një arkitekte e ardhshme, kjo është një nga punët më të bukura, të cilës do t’i dedikohesha pa e menduar dy herë.
Sinqerisht,
Erda Gega, 6 Maj 2016