E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Njoftim për shprehje interesi

Njoftim për shprehje interesi

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, si strukturë përgjegjëse e Bashkisë Tiranë, ushtron kompetencat e saj mbi administrimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, për krijimin, shtimin apo zhvillimin e ambienteve e aktiviteteve rekreative, shplodhëse dhe argëtuese, brenda territorit të tij.

Duke patur parasysh frekuentimin e shumtë që ka Parku i Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, si dhe kërkesave për shtimin e aktiviteteve të ndryshme rekreative në këtë park, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kërkon të vendosë në të shërbimin e një treni turistik, i cili do të përshkrojë thuajse të gjithë territorin e parkut, duke i krijuar mundësinë frenkuentuesve të grupmoshave të ndryshme të kryejnë një xhiro panoramike në park.

Me qëllim vendosjen e trenit turistik në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, fton të gjithë subjektet e interesuar për kryerjen e këtij shërbimi.

Njoftojmë subjektet e interesuara për bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, se procedura e zgjedhur për vendosjen e trenit turistik është “Procedura e konkurimit”, e cila do të zhvillohet me dy faza, konkretisht si më poshtë vijon:

Faza e parë:

  1. Informacion mbi trenin, specifikimet e tij dhe mënyrën e funksionimit:

Kjo pikë duhet të vërtetohet me dokumentacionin si më poshtë:

  • Treni turistik duhet të jetë 100% elektrik;
  • Të zotërojë të gjithë dokumentacionin e mjetit sipas kuadrit ligjor në fuqi (Dokumentacion mbi pronësinë e mjetit (çertifikatë pronësie apo kontratë marrje me qira të mjetit e cila duhet të jetë e vlefshme përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, Siguracion i mjetit, Leje qarkullimi, Vërtetim pagesë taksave vjetore, Kolaudim mjeti, si dhe çdo dokumentacion tjetër në përputhje me legjislacionin në fuqi);
  • Shpejtësia e lëvizjes që kërkohet nuk duhet kalojë më shumë se 10 km/orë (Deklaratë nga administratori i shoqërisë për lëvizjen e trenit brenda limitit të shpejtësisë të lejuar përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit);
  • Itinerari i levizjes duhet të jetë vetëm përgjatë pedonales kryesore përqark liqenit sipas genplanit bashkëlidhur këtij njoftimi (Deklaratë nga administratori i shoqërisë që merr përsipër të lëvizë përgjatë itinerarit të caktuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit);
  • Në kuadër të mosdëmtimit të infrastrukturës mjeti duhet të jetë i pajisur me goma plastike (Deklaratë nga administratori i shoqërisë që merr përsipër të dëmshpërblejë çdo dëm të ardhur nga lëvizja e trenit turistik përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit);
  • Për përdorimin sa më efiçent të pedonales për këmbësorët si dhe mosdëmtim të bimësisë, treni (Lokomotiva + Vagonët) duhet të jetë i gjatë jo më shumë se 1900 cm dhe Gjerësia e tij nuk duhet të jetë më shumë 180 cm, si dhe Lartësia nuk duhet të kalojë 250 cm.
  • Numri i vagonëve të kërkuar duhet të jetë minimalisht 2 (dy) dhe maksimalisht  3 (tre).
  • Deklaratë mbi përgjegjësinë personale të administratorit të shoqërisë e punonjësve të cilët do të vendosin trenin në lëvizje si dhe dokumentacioni përkatës për stafin i cili do të punojë me trenin elektrik (Kontratë pune, dokument identifikimi, leje drejtimi, si dhe çdo dokumentacion tjetër në përputhje me legjislacionin në fuqi).

Operatorët ekonomik me qëllim kualifikimin e tyre duhet të paraqesin dhe:

  • Informacion të përgjithshëm mbi veprimtarinë që ushtrojnë, kapacitetet dhe mundësinë e ofrimit të shërbimit të trenit turistik pa ndërprerje si dhe kryerjen e detyrimeve fiskale sipas legjislacionit në fuqi.

Kjo pikë duhet të vërtetohet me dokumentacionin si më poshtë:

  • Përshkrim i shkurtër i aktivitetit që ushtrohet (Prezantim i shkurtër i aktivitetit/Cv e operatorit si dhe përshkrim i shkurtër i trenit që do të vendoset);
  • Operatori duhet të vërtetojë që është i rregjistruar në rregjistrin tregtar, ka në fushën e veprimtarisë objektin e shërbimit të kërkuar, ka status aktiv dhe nuk është në proçes falimentimi sipas legjislacionit në fuqi (Ekstrakt i thjeshtë, Ekstrakt historik, Çertifikatë rregjistrimi QKB, Vërtetim status aktiv);
  • Vërtetim që shoqëria apo administratori i saj nuk janë në ndjekje penale sipas legjislacionit në fuqi (Dëshmi penaliteti administratori dhe shoqëria);
  • Vërtetim që shoqëria apo administratori i saj nuk janë të dënuar me vendim të formës të prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale sipas legjislacionit në fuqi (Dëshmi nga gjykata për administratorin dhe shoqërinë);
  • Vërtetim që operatori ekonomik ka paguar të gjithë detyrimet për taksat vendore dhe qëndrore si dhe kontributet e sigurimeve shoqërore sipas legjislacionit në fuqi (Vërtetim pagim detyrimesh tatimore, Vërtetim pagim detyrimesh taksa e tarifa vendore, Vërtetim Pagim detyrimesh sigurimesh shoqërore e shëndetsore);
  • Deklaratë nga administratori i shoqërisë për kryerjen e aktivitetit, përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit në përputhje me legjislacionin fiskal të Republikës së Shqipërisë;
  • Deklaratë nga administratori i shoqërisë për vijimësi të shërbimit përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit sipas kushteve dhe kritereve të vendosura nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në thirrjen publike;
  • Deklaratë nga administratori i shoqërisë që merr përsipër të gjithë kostot e vendosjes dhe funksionimit të trenit turistik në Parkun e Madh të Liqenit Artificial përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit;
  • Deklaratë nga administratori i shoqërisë që merr përsipër të gjithë pagesat për çdo dëmtim të ardhur si pasojë e lëvizjes së mjetit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial përgjatë gjithë periudhës të zgjatjes të bashkëpunimit;
  • Deklaratë nga administratori i shoqërisë për vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur në konkurim.

Faza e dytë:

Faza e dytë, ose Faza e paraqitjes së një propozimi, është faza ku operatorët ekonomik të kualifikuar si operatorë fitues paraqesin ofertat e tyre për mundësinë e përfitimit nga ana e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit për lejimin e zhvillimit të një aktiviteti të tillë ekonomik në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

Veprimet proceduriale dhe afatet e zhvillimit të procedurës:

  • I gjithë dokumentacioni i kërkuar për zhvillimin e fazës së parë duhet të dorëzohet brenda datës 16.09.2024, ora 14:59, me zarf të mbyllur pranë protokollit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me një shkresë shoqëruese ku duhet të jetë shënuar objekti i konkurimit të ketë një fletë inventari me përmbajtjen e zarfit.
  • Zarfet e paraqitura do të hapen në prezencë të strukturës të ngarkuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit dhe përfaqësuesit të subjekteve pjesëmarrës në datën 16.09.2024, ora 15.00, në zyrat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
  • Vlerësimi i dokumentacionit do të kryhet brenda një afati 5 (pesë) ditë kalendarike dhe brenda këtij afati, subjektet pjesëmarrës do të njoftohen për kualifikimin ose jo për fazën e parë.
  • Subjektet pjesëmarrës të cilët mund të kenë kundërshtime mbi vlerësimin e kryer duhet të paraqesin ankimin e tyre pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, brenda një afati 2 (dy) ditor nga marrja dijeni mbi vlerësimin e kryer.
  • Pas kalimit të afatit 2 (dy) ditor të ankimit, subjektet të kualifikuar në fazën e parë, duhet të depozitojnë propozimin e tyre për përfitimet e mundshme të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, me zarf të mbyllur pranë protokollit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me një shkresë shoqëruese ku duhet të jetë shënuar dhe objekti i konkurimit.
  • Vlerësimi i dokumentacionit nga ana e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit do të kryhet brenda një afati 3 (tre) ditë kalendarike dhe brenda këtij afati operatorët ekonomik pjesëmarrës do të njoftohen për vlerësimin e kryer mbi propozimin e paraqitur si dhe renditjen e subjekteve pjesëmarrës.
  • Operatorët ekonomik të cilët mund të kenë kundërshtime mbi vlerësimin e kryer, duhet të paraqesin ankimin e tyre pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, brenda një afati 2 (dy) ditor nga marrja dijeni mbi vlerësimin e kryer.
  • Pas kalimit të afatit 2 (dy) ditor të ankimit, subjekti i renditur i pari duhet të paraqitet brenda një afati 3 (tre) ditë kalendarike nga marrja dijeni mbi vlerësimin e kryer pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit për të lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit.

Informacion i përgjithshëm

  • Afati i bashkëpunimit për vendosjen e një treni turistik në Parkun e Madh të Liqenit Artificial do të jetë për një periudhë 1 (një) vjeçare me të drejtë rinovimi.
  • Në afatet e përcaktuara për zhvillimin e procedurës, nëse dita e fundit e tyre bie ditë pushimi ose festë zyrtare, afati do të zgjatet deri në ditën e parë të punës.
  • I gjithë dokumentacioni duhet të depozitohet në gjuhën shqipe, origjinal, kopje e noterizuar apo e barazvlefshme me to.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit fton të gjithë të interesuarit që kërkojnë të marrin pjesë në këtë procedurë konkurimi të dorëzojnë ofertat e tyre sipas afateve të përcaktuara më sipër pranë zyrës së protokollit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me adresë: “Rruga “Xhezmi Delli”, Godina nr. 20, Tiranë” dorazi apo me anë të shërbimit postar.