E-mail: [email protected]
Parqe të bukura, njerëz të lumtur!
Instagram: Aprtirana
Tirana Ime Outdoor: iOS / Android

Instagram

Shqiptarja.com – Erion Veliaj: Farka, parku i dytë i Tiranës, do mbjellim 2 mln pemë

Shqiptarja.com – Erion Veliaj: Farka, parku i dytë i Tiranës, do mbjellim 2 mln pemë

collage

Bashkia e Tiranës do të nisë pyllëzimin e Parkut të Liqenit të Farkës, për ta shndërruar atë në mushkërinë e dytë të kryeqytetit, duke e bërë më të aksesueshëm për qytetarët dhe një mjedis çlodhës e argëtues për fëmijët.

“Parku i Farkës do të jetë parku i dytë i Tiranës, i ngjashëm me atë të Liqenit, meqë nëse ky i fundit nuk mjafton për një qytet me një milionë banorë”,deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë mbjelljes së fidanëve të rinj në Parkun e Liqenit Artificial.

Këtë fundjavë, Liqenit Artificial iu shtuan një numër fidanësh të rinj, punë e cila po ndiqet rregullisht nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. I shoqëruar edhe nga drejtori i APR-së, Blendi Gonxhe, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës po vijon punën për ndërtimin e pesë parqeve të tjera, të cilat do t’i ofrojnë qytetarëve më shumë mundësi çlodhjeje.

“Prej përmirësimeve që i janë bërë Parkut të Liqenit, është rritur frekuentimi. Ndaj, kjo është arsyeja pse do të vazhdojmë sezonin e mbjelljeve, jo vetëm në Liqenin e Tiranës, por edhe në liqenin e Farkës, të Kasharit dhe Vaqarrit. Kështu, mbajmë atë premtim që kemi bërë një vit më pare që Tirana të ketë 5 parqe kryesore”, theksoi Veliaj.

Veliaj u shpreh se puna e nisur do të vijojë në të gjitha hapësirat e parcelat që janë gjetur bosh ose me pemë të degraduara. “Po mbjellim pemë të reja, po mundohemi që të mos lëmë asnjë hapësirë të parkut pa bimësi sipas ekosistemit që meriton. Në qoftë se vjet e mbyllëm sezonin e mbjelljeve me 15 mijë pemë, këtë vit ambicia është shumë herë më e madhe, jo vetëm për të kapur 15 mijë pemë, por për të rikurepuar edhe parqe të tjera”, nënvizoi ai.

Kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje të gjithë sipërmarrjeve që t’i bashkohen nismës për të kontribuar në shtimin e hapësirave të gjelbra të qytetit.

“Siç na ndihmuan për kopshtet dhe çerdhet, sot kemi nevojë që t’i lëmë oksigjen, bimësi dhe gjelbërim Bashkisë së Tiranës dhe gjeneratës tjetër të fëmijëve që rriten në këtë qytet. Këtë muaj do të kalojmë Planin Urbanistik të Tiranës në Këshillin Bashkiak. Plani parashikon mbjelljen e 2 milion pemëve,që përbëjnë kurorën e gjelbër të Tiranës, ose ndryshe Pyllin Orbital. Nuk besoj se ka dhuratë më të bukur se ajo që i jepni qytetit, pra gjelbërim dhe oksigjen”, tha Veliaj.

Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe deklaroi se përgjatë sezonit të mbjelljeve nëntor-dhjetor-janar, do të vijojë me intensitet puna për mbjelljen e fidanëve të rinj.

Burim informacioni: Shqiptarja.com